Prapaskena

Panik në futbollin Kosovar/ Lojtari ra pa ndjenja, goditet arbitri se nuk ndalte lojën

Publikuar: 18/04/2021

Një episod aspak i këndshëm është regjistruar në ndeshjen e Ligës së Parë në Kosovë, mes Ferizajt dhe Ulpianës. Pak minuta para fundit, futbollisti i Ferizajt, Thesar Ismajli, gjatë një dueli në ajër, bie në tokë pa ndjenja. Megjithatë pavarësisht kësaj, arbitri i ndeshjes, Petrit Rama nuk e ndaloi ndeshjen, për t’iu dhënë ndihma e parë lojtarin.

Menjëherë pas përfundimit të aksionit, në fushë janë futur stafet mjekësore, të cilat e kanë shoqëruar menjëherë në spital. Drejtori i klubit të Ferizajt për ngjarjen është shprehur: “Ishte një duel i fortë në zonën tonë dhe ai u rrëzua keq.

U pa që djali ishte pa vetëdije dhe arbitri nuk e ndalte lojën. Thesari për disa sekonda ishte pa ndjenja dhe tani e kemi dërguar në QKUK. Fatmirësisht vetëdija i është kthyer, por momentalisht nuk është në gjendje të mirë. S’po i kujtohet asgjë nga ndeshja. Mjeku më tha që nëse do të ishim vonuar edhe 5 sekonda mund të kishte ndërruar jetë”, tha Nadir Haxhimusa për “Indeksonline”.

Në fundin e ndeshjes, arbitri kryesor, Rama është goditur nga një tifoz, i cili ia doli të futej në fushë, për shkak se nuk ndaloi lojën kur u dëmtua lojtari i Ferizajt.



Më të lexuarat