Prapaskena

Ushtria amerikane “zbarkon” në Durrës (FOTO)

Publikuar: 17/04/2021

Ndërsa pak ditë na ndajnë nga momenti kur forcat ushtarake amerikane do të nisin një stërvitje në vendin tonë, përgatitjet kanë nisur. Pamjet nga porti i Durrësit tregojnë se ushtria amerikane po sjell mjetet për stërvitje.

Në stërvitjen “Defender Europe 21” do të marrin pjesë rreth 6 mijë trupa dhe qindra mjete ushtarake nga SHBA, Shqipëria dhe vende të tjera aleate, të cilat do të zhvillohet në bazat kryesore ushtarake të vendit tonë gjatë muajit maj të këtij viti.

Zëvendëskomandant i Ushtrisë së SHBA në Europë, Gjeneral Major Joseph Jarrard e cilësoi Shqipërinë gjatë një vizite të fundit në vendin tonë si partnere strategjike e sigurisë amerikane në Europë.

Ai theksoi, se stërvitja në fjalë do të shërbejë “për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin ushtarak të SHBA, me ushtarë shqiptarë në tokën shqiptare”.

Ndërkohë kjo stërvitje vjen në të njëjtën kohë kur Shtetet e Bashkuara po përgatiten më gjasë për një konflikt të mundshëm në kufirin midis Ukrainës dhe Rusisë.

Vendimi amerikan tingëllon si një mesazh nga një anë mbështetës për Kievin aleat, por edhe një paralajmërim ndaj Moskës që javët e fundit ka filluar të përqendrojë forca të shumta ushtarake në kufi me Ukrainën, zyrtarisht për t’iu kundërpërgjigjur atyre që cilësohen si provokime të ushtrisë ukrainase ndaj rebelëve të zonave pro-ruse në lindje të vendit.

Kievi dhe Moska kanë akuzuar njëri-tjetrën për përplasjet në rritje në rajonin lindor të Donbasit, ku trupat ukrainase kanë luftuar me forcat e mbështetura nga Rusia në konfliktin që Ukraina thotë se ka shkaktuar vdekjen e më shumë 14,000 njerëzve që nga viti 2014.

Ngërçi ka rritur tensionet midis Moskës dhe administratës së Presidentit amerikan Joe Biden, e cila vendosi një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë këtë javë, që e shtyu Moskën të hakmerrej me masa të ngjashme të premten.



Më të lexuarat