Kryeministri Edi Rama e cilëson veten njeri me fat që përkrah tij ka Linda Ramën.
Nga studioja e “Zgjedhje 2021”, Rama tha se nuk do të lejojë që politika ta transformojë karakterin e tij, duke shtuar se në rast se ai do të veshë çitjane, do ti veshë, cilado qoftë pozita që mban.
“Unë kur kam hyrë në këtë rrugë, jam betuar se do të dal si Edi Rama, jo si dikush që nuk e njoh më se kush është. Kam thënë vetes që në këtë rrugë, shqiptarëve unë do t’u ofroj veten, kështu siç jam, nuk do të bëhem dikush tjetër që të më pëlqejnë.
Dua të vesh çitjane, do të vesh çitjane, dua të vesh atlete, do të vesh altete. Ky jam! Nuk i ofrohem dikujt për dhëndër. Jam i bekuar që jam bashkëshort i Linda Ramës. Nuk i ofrohem askujt për krushk. Në këtë pikë, kam përshtypjen që e kam tepruar në komunikim, duke krijuar idenë që jam njeri arrogant, që më pëlqen vetja. Kjo nuk është e vërtetë!
Nëse unë do të bëja opozitën e Edi Ramës, unë e mundja Edi Ramën! Po të dëgjoni ju çfarë i bëj unë Edi Ramës me zë të lartë, do t’ju dukesha opozitar i Edi Ramës. Edi Rama opozitar është shqiptari më i pakënaqur që ju do të gjenit në rruzullin tokësor. Edi Rama opozitar kërkon nga Edi Rama kryeministër çdo ditë shumë më tepër”, tha Rama.