Prapaskena

Ekzekutori nxjerr emrat e “kokave”: Më premtuan 300 mijë euro për vrasjen e Domart Konjarit

Publikuar: 17/04/2021

“Për vrasjen e Domart Konjarit më premtuan 300 mijë euro”.

Kjo është shuma e treguar nga i penduari i drejtësisë, Enver Jamaku, para hetuesve si shpërblim për ekzekutimin e Konjarit.

Jamaku, dëshmia e të cilit çoi në pranga 9 persona, shpalli në kërkim disa të tjerë dhe zbuloi 20 baza armatimi në Tiranë, ka rrëfyer se vrasja e Konjarit ishte porositur nga Blendi Deda e Paris Prenga për hakmarrje.

Sipas tij, arsyeja ishte fakti se Konjari kishte vrarë shokun e tyre, Defrim (Devi) Kasmi.

Jamaku ka treguar me tej se i ishin vënë në dispozicion dy mina dhe dy pulte për to, me qëllim montimin në mjetin me të cilin lëvizte Konjari.

Sipas rrëfimit, Jamaku ka vëzhguar për 1-2 muaj lëvizjet e një personi, që ia kishin identifikuar si Konjari përmes një fotoje, por asnjëherë nuk i ishte afruar.

Për realizimin e krimit ai është ndihmuar edhe nga i afërmi i tij Ermond Jamaku.

Sipas të penduarit, minat i kishin montuar kushëriri tek një “Mercedes” në rrugën “Siri Kodra” me të cilin mendohej se lëvizte Konjari, raporton A2.

Jamaku ka treguar se kur personi ishte futur në makinë, Ermond Jamaku kishte mundur të shpërthente vetëm një minë, pasi tjetra nuk ishte aktivizuar, ndërsa personi që u plagos në ngjarje nuk ishte Konjari, por kunati i tij, Artion Bylyku.

I penduari ka rrëfyer se porositësit ishin nervozuar nga mosrealizimi i vrasjes dhe se e kishin paguar vetëm 3 mijë euro.



Më të lexuarat