Prapaskena

LSI braktis zyrtarisht Luan Ramën, Petrit Vasili vihet në siklet nga komentuesit

Publikuar: 16/04/2021

Lëvizja Socialiste për Integrim i ka bërë dalje zyrtarisht kryesuesit të listës së qarkut të Vlorës, Luan Rama. Ai është edhe shefi i shtabit politik i LSI-së dhe kohët fundit zyrtarët e LSI po e shmangin në fushatat elektorale duke mos bërë thirrje për të votuar kryesuesin e tyre të listës.

Numri dy i LSI-së, Petrit Vasili prej ditësh po poston në rrjetet sociale fotot me kandidatet femra që janë në listën e LSI-së, duke i bërë thirrje de fakto që të votojnë për ato dhe jo për kandidatin Luan Rama që është një nga figurat drejtuese të LSI-së.

Për herë të dytë Vasili ka promovuar në rrjetet sociale kandidaten Anxhela Shehaj. “Tre mandatet në Vlorë e çojnë listën e Astirit dhe të Dibrës para drejtësisë! Jam vërtet shumë i impresionuar nga Anxhela Shenaj kjo vajze e shkëlqyer e Vlorës. Me këmbënguljen e jashtëzakonshme dhe dashurinë e saj për Vlorën ajo është një shembull shprese për mijëra të rinj. Fitorja e qartë dhe e padiskutueshme e tre mandateve të LSI në Vlorë është detyrim i shenjtë për Vlorën dhe këta të rinj. Vlora ka vetëm një alternativë për të votuar; listën e kristaltë të Anxhelës me shokët e shoqet e saj, sepse Lista e Astirit dhe Dibrës të Gjiknurit dhe Qendros ka vetëm një fund atë para drejtesisë!”, shkruan Vasili. Kandidatja Shehaj është e nëntë në listën e LSI-së. Sesi mund të fitojë ajo, kjo ka vetëm një rrugë që ajo të marrë mbi 10 mijë vota personalisht dhe të përmbysë një mandat apo dy mandate të LSI-së.

Por ky postim është shoqëruar nga një koment pikant ndaj Vasilit, ku i shkruan atij: Po Luan Ramën ta votojmë apo jo o Titi se po na bëni konfuz?!…”.

Votuesit e LSI-së në Vlorë janë konfuz, pasi Vasili gjatë takimeve në këtë qark nuk shfaqet asnjë herë në krah të Luan Ramës dhe i bën thirrje me anë të fotove të ndryshme të votojnë kandidatët e tjerë, pra që të japin votën preferenciale me qëllimin për të mos nxjerrë fitues Luan Ramën.

Ndërkohë që edhe në takimin e sotëm të LSI-së më përfaqësuesit e biznesit në Vlorë mungonte pikërisht Luan Rama. Prezent ishin dy të deleguarit nga Tirana, Petrit Vasili dhe Edmond Haxhinasto, por mungonte kryesuesi i listës së LSI-së, por me kandidaten numër dy të listës.



Më të lexuarat