Prapaskena

“Keqardhje për ata që tradhtuan veten, bie erë të keqe”/ Naun Shundi: I mirëkuptoj artistët në spote elektorale

Publikuar: 16/04/2021

Naun Shundi, aktor, regjisor dhe dramaturg vjen në një intervistë për “News 24” ku flet për artistët në politikë dhe artistët në spotet elektorale.

Nisur nga pjesëmarrja në spotet e PS-së te Robert Ndrenikës e Tinka Kurtit dhe në atë të PD-së, të Neritan Liçajt, Adriana Tolkës e Juli Emirit, ai thotë se është e drejtë e artistëve të kenë bindje politike dhe të mbështesin partitë, edhe pse ai vetë, ka preferuar të jetë jashtë.

“Artistët në politikë? Është e drejtë e tyre patjetër, edhe pse unë nuk e kam gjykuar ta bëj. E keqja është kur artistët përdoren nga politika. Shpesh artistët janë të detyruar ose u është bërë presion. Vendi është i vogël dhe ne e njohim njëri-tjetrin. Kur ka presione për familjen është e vështirë. Dhe artistëve u është bërë presion për fat të keq, politika i ka përçarë dhe përdorur artistët”, -tha ai.
Ai tha se i mirëkupton ata që janë në spote, por i vjen keq, kur artistët tradhtojnë veten.

“I mirëkuptoj ata që janë në spote elektorale. Më vjen keq për ata që kanë tradhtuar fjalën e vet. Më vjen keq kur kanë shkelur atë që kanë thënë. Do ishte mirë që të heshtnin pas ofertës apo presionit, sepse bie erë të keqe, kundërshtimi i deklaratave të veta. Ose je konsekuent, ose sqaron pse ndërrove mendim. Artistët u tërhoqën nga presioni, ose u joshën”, -thotë Shundi.

I pyetur se çfarë sigurie ka që PD do e mbajë premtimin për teatrin, Shundi thotë se “PD si fillim nuk ka çfarë shemb, se çfarë ishin për t’u shembur, u shembën. Ndaj PD-së, i mbetet të ndërtojë”, tha ai.



Më të lexuarat