Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë në patronazh Byronë Kombëtare të Hetimit. Menjëherë pas përzgjedhjes së 28 kandidatëve të parë, ka nisur një proces intensiv trajnimi i tyre. Ata janë stacionuar në Akademinë e Sigurisë ku do të qëndrojnë disa javë aty. Fillimisht do i nënshtrohen një trajnimi intensiv nga ekspertët amerikanë dhe të FBI, po ashtu të asistuar nga ata të BE. Më pas do të kalojnë te trajnimi praktik me çështje e raste të ndryshme. Sipas ‘Sotnews’, SHBA do të sjellë një ekspert që do të merrte me trajnimin, i cili mesa duket ka ardhur dhe tashmë ka nisur puna për të mësuar 28 hetuesit se si të shkojnë te politikanët e korruptuar apo te bandat kriminale.
Nga ana tjetër BKH do të forcohet edhe me 32 kandidatë të tjerë. Sipas ligjit, Byroja duhet të ketë 60 hetues dhe pak ditë më parë u hap gara për 32 vende. Dje ka qenë shefja e BKH, Aida Hajnaj që ka bërë thirrje për aplikime. Ndërkohë edhe ambasada amerikane ka kërkuar që kush ka kurajo të bëhet pjesë e procesit.
Trajnimet antikorrupsion
Përveç Byrosë së Hetimit, ndërkombëtarët po asistojnë dhe gjyqtarët e prokurorët për të goditur korrupsionin. Ka qenë misioni PMECA, i cili me ndihmën e ekspertëve italianë ka zhvilluar një proces trajnimi për abuzimet në fushën e tenderave. “Rreth 25 gjyqtarë dhe prokurorë ndoqën trajnimin online mbi hetimin proaktiv kundër korrupsionit, krimit financiar dhe prokurimeve publike, organizuar nga PAMECA V në bashkëpunim me Projektin Italian HJC-AICS, EURALIUS V dhe Shkollën e Magjistraturës. Disa nga temat më të rëndësishme të paraqitura gjatë prezantimit të Drejtuesit të Prokurorisë së Avellino në Itali, Domenico Airoma, ishte një pasqyrë e përgjithshme e mjeteve të reja të hetimit kundër veprave penale në lidhje me administratën publike, teknikat e hetimit proaktiv, roli dhe detyrat e agjentit në mbulim, si dhe sistemin italian të bilbilfryrësve krahasuar me sistemin shqiptar.
Çështje konkrete të një rasti të nivelit të lartë të korrupsionit, çështja FIMI MEDIA, u prezantua nga një prokuror pranë Prokurorisë Publike Europiane. Prezantimi fokusohej në mënyra proaktive të hetimit të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë si dhe hetimi i keqpërdorimit të prokurimit publik në kryerjen e një krimi financiar”, shprehet PAMECA. Sipas njoftimit, ky trajnim shërbeu për të shkëmbyer përvojën vendase me atë ndërkombëtare për ofrimin e hetimeve efikase dhe të pavarura, duke përdorur teknika të reja hetimi si dhe instrumentet dhe metodologji konkrete për të përmirësuar bashkëpunimin ndërkombëtar.
Ligji antimafia
Në trajnimin e njerëzve të drejtësisë është angazhuar dhe misioni tjetër i BE, EURALIUS. Ata kanë zhvilluar një trajnim sa i takon zbatimit të ligjit antimafia, i cili do të përdoret për sekuestrimin e pasurive korruptive dhe të vëna nga krimi i organizuar. “Më 12-13 prill 2021, EURALIUS në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës, Projektin Italian CSM/AICS dhe PAMECA V organizuan një trajnim online mbi “Sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive në bazë të ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, të veprave penale kundër korrupsionit dhe veprave të tjera penale”.
Në trajnim u mbajtën prezantime mbi praktikat ndërkombëtare dhe mbi praktikën gjyqësore shqiptare: Konventat ndërkombëtare mbi sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të veprave penale kundër korrupsionit dhe veprave të tjera penale; Modele dhe strategji hetimore lidhur me hetimet pasurore dhe konfiskimet e pabazuara në dënime: Raste studimi praktike sipas përvojës italiane si dhe sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive sipas ligjit shqiptar “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, të veprave penale kundër korrupsionit dhe veprave të tjera penale” dhe problemet e praktikës gjyqësore”, njoftoi EURALIUS.