Prapaskena

Apeli i Kishës Katolike: Kush e shet votën, ka shitur dinjitetin e vet, deputeti me vota të blera…

Publikuar: 15/04/2021

Për zgjedhjet e 25 prillit 2021, Ipeshkvijtë e Kishës katolike të Shqipërisë kërkojnë garantimin e votimeve të ndershme dhe transparente, në të cilat duhet të respektohet çdo votë e çdo votues, ashtu sikurse edhe rezultati final.

Ipeshkvijtë e Shqipërisë i “ftojnë të gjithë të merrnin pjesë në votime”, për t’ua besuar të zgjedhurve të rinj sfidat e ndryshme si pandemia e COVID-19, përforcimi i mëtejshëm i institucioneve si Parlamenti, reformat në drejtësi, eliminimi i korrupsionit, plaga e të rinjve dhe e familjeve që po e braktisin Shqipërinë etj.

Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta në emër të Kishës Katolike të Shqipërisë ka përcjellë një mesazh qytetarëve shqiptarë për zgjedhjet e 25 prillit.

Dom Gjergj Meta thotë se Kisha kërkon zgjedhje transparente dhe të ndershme. Ai bën thirrje që mos votohen për deputetë kandidatët me të kaluar të dyshimtë, teksa thekson se kush shet votën për para s’ka zot për të kërkuar llogari, kurse ai që shfrytëzon varfërinë për të blerë vota, s’ka të drejtë të ulet në parlament.

“Nuk është rasti të votohen kandidatë me të kaluar të dyfishtë. Integriteti duhet të jetë kusht i domosdoshëm. Qytetari të votojë kandidatët transparentë dhe me integritet. Duhet të theksojmë se qytetarët kanë të drejtë dhe detyrë të votojnë. Mos keqpërdorin votën, mos shiten. Do ishte dëm i madh. Urojmë më 25 prill secili të ushtrojë të drejtën e votës. I lutemi zotit që me ndërmjetësim të nënës së Këshillit të Mirë, të ndihmojë shqiptarët për jetën e vendit. Ju falënderoj për punën e madhe që bëni. Shpresoj që vendi ynë të dalë më i mirë nga zgjedhjet e 25 prillit”, tha dom Gjergj Meta.

Për zgjedhjet e 25 prillit 2021, Ipeshkvijtë e Kishës katolike të Shqipërisë kërkojnë garantimin e votimeve të ndershme dhe transparente, në të cilat duhet të respektohet çdo votë e çdo votues, ashtu sikurse edhe rezultati final. Për këtë Ipeshkvijtë e Shqipërisë i “ftojnë të gjithë të merrnin pjesë në votime”, për t’ua besuar të zgjedhurve të rinj sfidat e ndryshme si pandemia e COVID-19-ës, përforcimi i mëtejshëm i institucioneve dhe efektiviteti i tyre, si Parlamenti, reformat në drejtësi, eliminimi i korrupsionit, plaga e madhe e të rinjve dhe e familjeve të reja që po e braktisin Shqipërinë, shqetësimi për nivelin e mësimdhënies në shumë zona si dhe kushtet e jetesës në disa fasha të popullatës, pasojat e tërmetit të vitit 2019 mbeten gjithnjë një prioritet si dhe fenomeni i shitblerjes së votës, një plagë që duhet të zhduket medoemos, në çdo rast.

Kush e shet votën me para, pohojnë Ipeshkvijtë e Kishës katolike të Shqipërisë , ka shitur dinjitetin e vet dhe atë të familjes, si dhe nuk ka më zë për të kërkuar llogari. Si ipeshkvij, nuk na duket e rastit të votohen ata kandidatë me një të kaluar të dyshimtë. Integriteti moral duhet të jetë një conditio sine qua non, që zgjedhësi të mund të zgjedhë në liri dhe në qetësi.

Urojmë që me datë 25 prill, secili ta ushtrojë të drejtën dhe detyrën e votës duke pasur parasysh të mirën e përbashkët, që është edhe qëllimi i çdo veprimtarie politike. Në të njëjtën kohë, i lutemi Zotit, që me ndërmjetësinë e Nënës së Këshillit të Mirë, t’i ndihmojë shqiptarët në këto momente të rëndësishme për jetën e vendit.

Deklarata e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë për zgjedhjet e 25 prillit 2021

Votimi për zgjedhjet e përfaqësuesve në Parlament, paraqet një mundësi konkrete për të shprehur pjesëmarrjen tonë në jetën demokratike të vendit. Sfida e çdo procesi zgjedhor është garantimi i zgjedhjeve të ndershme dhe transparente, në të cilat respektohet çdo votë dhe çdo votues, ashtu sikurse edhe rezultati final. Kisha Katolike i konsideron të rëndësishme zgjedhjet, kur ato zhvillohen sipas parimeve demokratike dhe me pjesëmarrjen e të gjitha forcave e aktorëve politikë. Sikurse edhe në rastet e mëparshme, në vigjilje të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, ne Ipeshkvijtë e Kishës katolike, në sajë të përgjegjësisë që kemi në udhëheqjen e popullit që na është besuar, dëshirojmë t’u drejtohemi të gjithë besimtarëve katolikë dhe njerëzve vullnetmirë.

Jemi të vetëdijshëm që të zgjedhurit e rinj do të ndodhen përballë sfidave të ndryshme. Fillimisht, pandemia e COVID-19-ës që vendi ynë po kalon. Një falenderim duhet t’ua japim të gjithë punonjësve të shëndetësisë: mjekëve, infermierëve, sanitareve dhe gjithë pjesës tjetër të personelit shëndetësor, si dhe familjarëve të të sëmurëve, të cilët ndonëse duke rrezikuar, kanë punuar ditë e natë përkrah tyre. Porse, nga ana tjetër, kërkohen strategji të mirëfillta psiko-sociale që të dalim faqebardhë nga kjo pandemi.

Në rrafshin politik, është urgjente që reforma në drejtësi, aktualisht në letër, të bëhet realitet sa më shpejt të jetë e mundur. Forcimi i mëtejshëm i institucioneve dhe efektiviteti i tyre, përbën një detyrë primare për të zgjedhurit e ardhshëm në Parlament.

Në rrafshin social, nuk mund të mos evidentojmë plagën e madhe të të rinjve dhe të familjeve të reja që po e braktisin Shqipërinë. Është e nevojshme një përkujdesje e veçantë ndaj të gjitha zonave të vendit, nga Veriu në Jug, në zonat rurale e në zonat urbane, ku shpeshherë vërehen situata ekstreme varfërie, mungesë infrastrukture dhe shërbimesh të domosdoshme, sidomos rrugë e shërbime shëndetësore.

Më pas, na shqetëson niveli i mësimdhënies në shumë zona të vendit si dhe kushtet e jetesës në disa fasha të popullatës. Shumë familje akoma po vuajnë pasojat e tërmetit të vitit 2019 një prioritet me siguri se duhet të jetë rindërtimi, që ka nevojë të përparojë me ritme akoma më të shpejta.

Shqipëria mund të ketë një të ardhme të mirë nëse angazhohemi të gjithë së bashku, qytetarët e politika aktive.

Nevojitet një angazhim i të gjithëve për të eliminuar korrupsionin, që sikurse e kanë nënvizuar edhe në ditët e kaluara institucionet ndërkombëtare, mbetet sërish një grackë e rrezikshme në institucionet dhe në shoqërinë tonë në përgjithësi.

Një tjetër sfidë, me gjithë hapat e bërë përpara në 30 vitet e fundit, mbetet integrimi europian i Shqipërisë.

Në vigjilje të zgjedhjeve, pra ne, Udhëheqësit Shpirtëror, do donim para së gjithash t’i ftonim të gjithë të merrnin pjesë në këtë moment të jetës demokratike të vendit. Sipas Doktrinës Shoqërore të Kishës, është një detyrë dhe një e drejtë e çdo qytetari për ta ushtruar sipas ligjeve në fuqi dhe me liri të plotë. Prandaj, pjesëmarrja në votime, është një detyrim moral pavarësisht preferencave që secili do të shprehë.

Së dyti, ashtu sikurse e kemi ritheksuar edhe në deklarata të mëparshme, fenomeni i shitblerjes së votës është një plagë e madhe që duhet të zhduket medoemos, në çdo rast. Kush e shet votën me para, ka shitur dinjitetin e vet dhe atë të familjes, si dhe nuk ka më zë për të kërkuar llogari. Po ashtu, kush e blen votën me para, duke përfituar nga varfëria e votuesve, nuk është i denjë të ulet në detyrën për të cilën kërkon që të votohet. E papranueshme më pas është fakti që, bashkëngjitur shitblerjes së votës, i shtohet edhe betimi në librat e shenjtë. Gjithashtu është e papranueshme që votimi të vijë nën formën e kërcënimit ose pas premtimeve të vendit të punës. Puna është fryt i meritokracisë dhe jo i partitizmit ose kahjes partiake.

Si ipeshkvij, nuk na duket e rastit të votohen ata kandidatë me një të kaluar të dyshimtë. Integriteti moral duhet të jetë një conditio sine qua non, që zgjedhësi të mund të zgjedhë në liri dhe në qetësi.

Ne urojmë që me datë 25 prill, secili ta ushtrojë të drejtën dhe detyrën e votës duke pasur parasysh të mirën e përbashkët, që është edhe qëllimi i çdo veprimtarie politike. Në të njëjtën kohë, i lutemi Zotit, që me ndërmjetësinë e Nënës së Këshillit të Mirë, t’i ndihmojë shqiptarët në këto momente të rëndësishme për jetën e vendit.

Dhënë nga Selia e Konferencës Ipeshkvore, në Tiranë, më 15 prill 2021

Ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë



Më të lexuarat