Vihet në pranga autori i plagosjes së dy efektivëve të policisë një ditë më parë në Mamurras. Sipas ‘abcnews’, policia ka arrestuar David Madani polic patrulle, i cili plagosi dy kolegët nga pakujdesia, për vetëmbrojtje.
Gjithashtu të arrestuar në lidhje me këtë ngjarje janë edhe Gjon Fufi, Nikoll Fufi dhe Rudolf Fufi.
Sipas policisë, disa persona janë konfliktuar me punonjësit e Policisë të Patrullës së Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet. Më pas, një nga punonjësit e Policisë ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar dhe për pasojë janë plagosur dy kolegët e tij Ilir Zekaj dhe Flamur Lleja, si dhe një nga personat e përfshirë në konflikt, shtetasi Nikollë Vorfi, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Është krijuar menjëherë një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga Specialistë të Hetimit në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme dhe Specialistë të Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, dhe nën drejtimin e drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vijon puna intensive në vendin e ngjarjes, duke administruar çdo provë dhe po marrin dëshmi, me qëllim sqarimin në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme të kësaj ngjarjeje.