Prapaskena

Mali i Zi prag falimentimi, BE refuzon ta ndihmojë për të paguar borxhin 1 mld euro

Publikuar: 14/04/2021

Bashkimi Europian nuk do ta ndihmojë Malin e Zi të paguajë borxhin e saj gati 1 miliard euro të dhënë nga Kina.

Shteti i Ballkanit perëndimor huazoi paratë e Pekinit për të ndërtuar një autostradë, e cila që atëherë është kthyer në një nga projektet më të shtrenjta në botë. Në pamundësi për të shlyer borxhin, Financial Times raportoi se Mali i Zi i kishte kërkuar Bashkimit Europian ndihmë.

Por një zëdhënës i Komisionit Europian tha përpara gazetarëve se nuk ka asnjë mundësi që një gjë e tillë të ndodhë.

“Ne nuk do të paguajmë huatë që ata po marrin nga palët e treta”, tha zëdhënësi Peter Stano. Z. Stano tha se çdo vend është i lirë të bëjë çfarë të dojë, kur bëhet fjalë për investime.

Por ai tha se investimi kinez në Malin e Zi është kthyer në një çështje shqetësuese. “Ekziston rreziku i çekuilibrave makroekonomikë dhe varësisë së borxhit”. “Por motivimi për të ndërmarrë hapa të tillë, për të marrë hua të tilla, duhet të kontrollohet nga autoritetet malazeze”, shtoi ai më tej.

Autostrada është ende në ndërtim e sipër dhe i ka kushtuar vendit rreth 20 milionë euro për km, gjë që e bën atë një ndër më të shtrenjtat në botë. Vetëm rreth 40 km, një e treta e gjatësisë së parashikuar, është ndërtuar. Marrëveshja u nënshkrua në 2014 ndërmjet Exim Bank të Kinës dhe qeverisë malazeze e cila aktualisht nuk është më në pushtet.

Nga ana tjetër, banka ra dakord të financojë 85 për qind të kostos së rrugës, e cila po ndërtohet nga China Road and Bridge Corporation. Nëse Mali i Zi nuk do të arrijë të shlyejë kredinë, toka e tij do të përdoret si kolateral. Prandaj Ministri i Financave të Malit të Zi i është drejtuar BE-së si shpëtimtari i vetëm që i mbetet.

Mundësitë që BE-ja të pranojnë një gjë të tillë janë shumë të pakta, edhe pse çështje të tjera më të rëndësishme me ndikim gjeopolitik mund të preken. Prezenca e Kinës nëpërmjet huave që ka dhënë ndihet edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, pra nuk kemi të bëjmë vetëm me problematikën që lidhet më Malin e Zi. Edhe Rusia është gjithashtu e etur të rrisë kontrollin e saj në rajon.

Freedom House, një organizatë me bazë në SH.B.A., thotë se Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore respektivisht i detyrohen Kinës 39 dhe 20 për qind të borxhit të shtetit.

Sipas Freedom House, Kina është përpjekur dhe po përpiqet ende të fitojë ndikim në rajon përmes një strategjie të diplomacisë së borxhit, domethënë duke siguruar fonde për shtetet më të dobëta sidomos në drejtim të infrastrukturës. BE-ja thotë se ajo mbetet ende investitori më i madh i Malit të Zi dhe huadhënësi i saj më i madh i ndihmës financiare.

Kina ka huazoi mbi 500 milionë euro financime që nga viti 2007 për të ndihmuar Malin e Zi në rrugën e tij për t’u bashkuar me Bashkimin Europian. Vëllimi i tregtisë me BE-në në 2019 kishte arritur gjithashtu në 1.38 miliardë euro.

Nga ana e saj, një zëdhënës i qeverisë kineze u shpreh se kushtet e vështira gjeologjike për ndërtimin e autostradës në Malin e Zi janë “arsyeja kryesore që kostoja e saj të jetë relativisht e lartë”.

Ai gjithashtu vuri në dukje se norma e interesit të kredisë është në 2 për qind, e cila ai tha se është relativisht e ulët krahasuar me borxhin e përgjithshëm të Malit të Zi. “Investimet kineze nuk janë të motivuara gjeopolitikisht, dhe as nuk paraqesin ndonjë kërcënim për sigurinë e ndonjë vendi”, përfundoi



Më të lexuarat