50 prokurorë të Prokurorisë së Tiranës, kanë nënshkruar një peticion, përmes të cilit dënojnë sulmet e Lulzim Bashës ndaj Elisabeta Imeraj, të cilën Basha e quajti disa ditë më parë ‘ikonë të krimit dhe korrupsionit’.
Nga 75 prokurorë që ka Tirana, 50 janë pozicionuar kundër Bashës. Prokurorët e Tiranës i konsiderojë sulmet e Lulzim Bashës si përpjekje për të cënuar pavarësinë e organit të akuzës, ndërsa kërkojnë nga KLP një qëndrim të ashpër, për të dënuar çdo përpjekje të pushtetit politik për të ndërhyrë dhe shantazhuar prokurorët.
“Në rastin konkret, sulmi vijues me një retorikë jo etike, si zyrtar i drejtësisë është jo vetëm e dënueshme ligjërisht, por gjithashtu tenton që të cenojë drejtpërdrejtë privatësinë e prokurorit, pavarësi e cila është esenciale dhe prioritare mbi objektivitetin dhe të qenit profesional në drejtim, hetim dhe përfaqësim në gjykim të çështjeve penale e cila është puna e një prokurori. Ne të gjithë po kalojmë procesin e rivlerësimit kalimtar, komfrom ligjit me numër 84/2016 dhe me qëllim funksionimin normal të punës në Prokurori, larg intimidimeve dhe presioneve është e nevojshme:
-Lejimi i institucioneve të bëjnë punën e tyre , pa ndikime politike
-Mbështetje karshi prokurorëve në detyrë, për shkak të respektimit të dinjitetit.
Deklaratat e çdo zyrtari përfshirë edhe ato të një kryetari partie, janë të papranueshme, se mbi të gjitha kanë qëllime cenimi të pavarësisë së figurës dhe profesionalizmit të një prokurorit.
Nga sa më sipër, mendojmë se me qëllim parandalimin jo vetëm të këtyre sulmeve që cenojnë figurën e prokurorit dhe besimin e publikut te organet e prokurorisë, por nga ana tjetër për të dënuar çdo përpjekje e sidomos të pushtetit politik për të ndërhyrë në drejtësi, kërkojmë nga ana Juaj të konstatohet kjo ndërhyrje dhe të konkludohet me një deklaratë e cila do vetëm duhet të mbrojë prokurorin nga çdo përpjekje e tillë për të shantzhuar detyrën e tij, por edhe të dënojë çdo përpjekje të paligjshme për të ndikuar me presion dhe shantazh”, thuhet në peticion.
Ky është reagimi më i organizuar dhe më masiv i drejtësisë në historinë e pluralizmit shqiptar ndaj një politikani, në rastin konkret ndaj Lulzim Bashës. Peticioni i pazakontë është bërë shkak që Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në mbledhjen e sotme, të shtynte vendimmarrjen për mbajtjen e një qëndrimi publik ndaj Bashës.
“Me shtatë vota pro dhe katër kundër (z. Alfred Balla, znj. Esmeralda Keshi, znj. Nurihan Seiti dhe z. Vatë Staka ), Këshilli vendosi shtyrjen e vendimmarrjes për mbajtjen e një qëndrimi publik, në mbledhjen plenare të radhës, për arsye proceduriale, të cilat lidhen kryesisht me administrimin nga ana e anëtareve të një peticioni të nënshkruar nga 50 prokurorë të Prokurorisë së Tiranës, në mbështetje të kërkesës së Drejtueses Imeraj”, njoftoi KLP-ja. Përplasja mes Bashës dhe Imeraj do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të KLP-së, pas të administrohet peticioni i 50 prokurorëve, bashkë me firmat përkatëse.
Përplasja
Po çfarë ndodhi mes prokurores Elisabeta Imeraj dhe Lulzim Bashës? Katër ditë më parë, nga një studio televizive, Basha artikuloi akuza të rënda ndaj zonjë Imeraj.
“Kur e denoncova këtë, kërcitën telefonatat, dhe prapë asnjë media nuk e mbulonte këtë. Kryeprokurorja e Tiranës është ikonë e korrupsionit dhe krimit”, tha Basha në Real Story.
I menjëhershëm dhe i ashpër ka qenë edhe reagimi i kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Imeraj, e cila i dha një mesazh Bashës, teksa tha se kriminelët nuk mund t’i bënin presion, se kreu i opozitës ishte ikonë e shpëtimit nga veprimi i drejtësisë me procedurë dhe se kishte dosje në prokurorinë që ajo drejton.
“Deklarata e Bashës është sulm personal për shkak të dosjeve që ka në Prokurorinë e Tiranës, dhe për këto akuza do të përballet në Gjykatë. Nuk bie pre e asnjë presioni politik, ekonomik apo kriminal, as e ikonës së shpëtimit nga Drejtësia me Procedurë. Presioni karshi një prokurori është vepër penale, dhe unë s’kam rënë pre e presionit në asnjë rast nga asnjë lloj krimineli”, tha ndër të tjera Imeraj. Shqiptarja.com