Prapaskena

DETAJET: Viktima e atentatit të djeshëm në Durrës, një nga investitorët e platformës TIBO, po negocionte një takim me një zyrtar të lartë

Publikuar: 21/03/2021

Edmond Çekiçi ose Koçi u vra në një atentat mëngjesin e së shtunës vetëm pak momente pasi doli nga banesa e tij. Pak pas ngjarjes, policia gjeti edhe një mjet tip Benz duke u djegur në Sukth, i cili dyshohet se i përkiste autorëve të ngjarjes së rëndë.

Një nga pistat kryesore ku po heton policia është ajo e dyshimit për konflikte të vjetra.

Por një burim nga zyra e hetimit të krimeve ekonomike than se viktima veç profilit të rrugës, kishte nisur të ndërtonte një tjetër imazh të vetes në fushën e biznesit mediatik.

Sipas të njëjtit burim, ai kishte investuar shuma të mëdha në platformën TIBO dhe shumë nga veprimet financiare janë kryer në emër të bashkëshortes.

Burimi shtoi gjithashtu se Çekiçi kishte planifikuar ditët e fundit edhe një takim me një zyrtar të lartë pikërisht për çështje të lidhura me investimet në TIBO, por vrasja i ndërpreu këto plane.

TiBO është platformë IPTV e shtrirë gjerësisht kohët e fundit, partner zyrtar me Digitalb për transmetim IPTV/OTT. Paketat e abonimit përfshijnë dhe kanale dhe programe televizive nga Tring, Top Channel, Klan, RTSH, etj.

Çekiçi u ndalua shtatorin e vitit të kaluar për armëmbajtje pa leje, por vetëm një javë më parë Gjykata e liroi pas një kërkese të Prokurorisë që kërkoi zbutje të masës së sigurisë.



Më të lexuarat