Policia ka referuar materialet Prokurorisë përsa i përket shpërthimit me eksploziv të makinës së prokurorit, Arjan Muça, mbrëmjen e së enjtes. “Kanosje për shkak të detyrës” dhe “mbajtja pa leje e përdorimi i armëve shpërthyese”, janë dy akzuat që kanë regjistruar autoritetet për këtë ngjarje.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për se kjo akuzë është ngritur, referuar edhe sasisë së eksplozivit, dëmit të shkaktuar, si edhe momentit të zgjedhur për shpërthimin e tij. Nga ana tjetër, hetuesit e kanë përjashtuar mundësinë që ngjarja të kishte për qëllim shkatërrimin e pronës, për shkak të vlerës së vogël që kishte mjeti “Mercedes A Class”, që iu vendos eksplozivi.
Hetuesit dyshojnë se qëllimi i vendosjes së lëndës plasëse ka qenë një mesazh. Pista kryesore ku është përqendruar hetimi i Prokurorisë së Tiranës mbi shpërthimin e telekomanduar në mjetin e prokurorit, Muça dyshohet të ketë ndodhur për shkak të detyrës së tij, ose të bashkëshortes gjyqtare në Gjykatën Administrative.
Në ditët në vijim pritet të verifikohen çështje që kanë lidhje me detyrat e tyre funksionale. Sipas burimeve, mundwsitw që motivi të ketë lidhje me detyrën e gjyqtares Gentiana Muça janë më të mëdha sesa me detyrën e prokurorit Muça, kjo pasi që prej dy vitesh ai ishte komanduar në KLP, si pjesë e grupit të punës që pwrpilon raportet e aftësive profesionale të prokurorëve që kalojnë në Vetting.
Nga sekuestrimi i pamjeve filmike për ngjarjen e 11 marsit të këtij viti, është bërë e mundur gjetja e itinerarit të autorit dhe fiksimi i tij në momentin që është futur në garazhin ku u parkua makina e prokurorit. Nga pamjet janë zbuluar hollësi të përmasave fizike të autorit, ndërsa ende nuk është identifikuar.
Ky i fundit ka hyrë në garazh pak çaste pas prokurorit i cili ka parkuar makinën, ndërsa pas vendosjes së lëndës plasëse në gomën e parë të mjetit, është larguar përmes një daljeje tjetër. I gjithë veprimi i autorit i cili është futur në garazh me një motorrçikletë dhe në kokë mban skafando, ka zgjatur jo më shumë se 3 minuta, ndërsa është zbuluar nga grupi hetimor se pako prej rreth 100 gr eksploziv, ka rrëshkitur nga vendi ku është vendosur fillimisht, kjo sqaron edhe dëmtimet e pjesshme të mjetit.
Dyshohet se për plasjen e ekplozivit është përdorur një metodë e gradimit të minës, duke qenë se mjeti ndodhej -2 kate dhe autori duhet të ketë përllogaritur se në një ambient të tillë ka mungesë të valëve telefonike. Deri më tani janë shoqëruar disa persona të dyshuar apo që mund të kenë dijeni të cilët janë marrë në pyetje por nuk janë gjetur në dëshmitë e tyre indicie për t’i lidhur me ngjarjen.