Prapaskena

Dosja / Ja si gjyqtarja Fida Osmani i zhvillon gjyqet në avion dhe i merr vendimet në ajër! Vijon të japë drejtësi ende sot!

Publikuar: 14/03/2021

Ajo çka bën të veçantë gjyqtaren Fida Osmani, si pjesë e fytyrës së drejtësisë shqiptare, nuk janë dhuratat befasuese, as vesi i bixhozit si disa kolegë të saj, as hapja e dyerve të burgut për të dënuarit e përjetshëm, as qendrat tregtare, pallatet dhe as saga e çudirave që kemi dëgjuar deri më sot për pallatin e drejtësisë. Është diçka tjetër e padëgjuar më parë. Është ajo që nuk e rrok dot një mendje normale. Fida Osmani i zhvillon gjyqet në ajër, në fluturim, në makinë, ndoshta edhe duke drekuar, duke shëtitur apo kudo tjetër, përveç sallës së gjyqit.

Si ka mundësi që një gjyqtare e tillë vijon edhe sot të japë drejtësi me çekiç në dorë?!

Në Shqipëri gjithçka është e mundur!

Fakte dhe rrethana

Në 6 maj të vitit 2011, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me në krye Bamir Topin, sot i zëvendësuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka realizuar një inspektim në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit, për të parë se si gjyqtarët e respektojnë disiplinën në punë. Inspektimi është realizuar nga Inspektorati i KLD-së. Sipas raportit të Inspektoratit, gjyqtarja e Tiranës, Fida Osmani, në datën 21 tetor 2009, ora 11:14:24 deri në datën 25 tetor 2009, ora 12:16:24, ka lëvizur jashtë vendit.

Raporti bazohet në të dhënat e sistemit TIMS.

Në datën 21 tetor 2009, pikërisht ditën që është larguar me avion jashtë vendit, gjyqtarja Fida Osmani kishte planifikuar zhvillimin e 7 seancave gjyqësore, respektivisht në oraret 09:00, 90:20, 09:30, 10:30, 11:30, 12:30 dhe në orën 13:00. Atë ditë Fida Osmani ka ‘zhvilluar’ tre seanca gjyqësore. Në një kohë kur ndodhej në ajër, ndoshta jashtë hapësirës së Republikës së Shqipërisë, gjyqtarja ka zhvilluar një gjyq në Gjykatën e Tiranës, madje ka marrë edhe vendim!

Në raportin e inspektimit thuhet se “seanca e orës 12:30, sipas procesverbalit të seancës, ka filluar në orarin e paracaktuar dhe gjyqtarja Fida Osmani ka vendosur pushimin e gjykimit të çështjes me vendimin e datës 21.10.2009 në çështjen civile që i përket kërkuesit Alba Sport me objekt ‘rivendosje në afat ndaj ankimit të vendimit’. Nga të dhënat e nxjerra nga sistemi TIMS provohet se gjyqtarja Fida Osmani ka kaluar në aeroportin “Nënë Tereza’ në datën 21.10.2009 ora 11:14:24 – 25.10. 2009 ora 12:16:41”.

Gjyqet në ajër u kthyem në praktikë

Ky nuk është rasti i vetëm i dokumentuar nga organet e drejtësisë që u shembën nga zbatimi i reformës në drejtësi. Gjyqtarja Fida Osmani e kishte kthyer pothuajse në një praktikë të rëndomtë zhvillimin e gjyqeve, pa qenë fare në Shqipëri apo duke udhëtuar drejt Aeroportit të Rinasit.

Po çfarë dosjesh të tjera dhe vendimesh ka marrë Fida Osmani pa u paraqitur fare në gjykatë?

Si arriti ajo t’i shpëtonte shkarkimit pas dokumentimit të shkeljeve?

Si e shpjegon vetë faktin ‘magjistarja’ Fida Osmani që arrin të zhvillojë gjyqe në avion?

Si do ta presë Vetingu dhe ONM-së ‘shpjegimin’ e saj për të ‘mrekulli’ të drejtësisë shqiptare?!

Si e krijoi pasurinë gjyqtarja Fida Osmani dhe si e justifikon në letra?

Ku dhe si i ka strehuar familjarët në zyrat e shtetit?

Të gjitha përgjigjet në vijim!



Më të lexuarat