Ish-ministri Lefter Koka ka shpërthyer ndaj ish-partisë së tij, pas akuzave që kjo e fundit po bën në mënyrë të vazhdueshme ndaj tij.
Sot nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili tha se janë tetë kompani që i përkasin tarafit familjar të ministrit Lefter Koka që kanë marrë plot 3.340.700 euro. Ndërkohë Koka përmes një shënimi në facebook thotë se të merresh me ta është kohë e humbur, duke i akuzuar si një parti që lindi nga inati dhe të etur për pushtet.
Edhe më herët kryetarja e LSI-së e akuzoi Kokën lidhur me atë çka ajo e quajti “afera e shekullit”, lidhur me inceneratorët. Ndërkohë Koka shprehet i bindur se më 25 prill çështja e LSI-së do të marrë fund.
Shënimi i plotë i Lefter Kokës
Kohë e humbur të merresh me ju. Baltosja është e vetmja çfarë ju dini të bëni dhe habitem si vonuat kaq shumë!
Por 2 fjalë në respekt të bashkëqytetarëve të mi po i them.
Ju lindët si parti inati e mllefi dhe po këto po ju shuajnë. Ndër vite treguat se jo vetëm nuk patët program apo vizion , por jeni partia e një grusht njerëzish të etur për pushtet, etje, para. Të mbarsur me mllef ndaj më të mirëve, ndaj çdokujt që ka ditur t’ja dalë vetë.
Ju besoni te intriga dhe te shpifja! Kulti juaj është mosmirënjohja dhe E Keqja mishërohet veç te ju!
Ju e dini dhe më njohët mirë, mua nuk më shqetësoni !
Në 25 Prill çerdhja juaj mbyllet!
***
I larguar së fundmi nga LSI-ja, Koka do të kandidojë në Durrës nën siglën e PS-së në zgjedhjet e 25 prillit.