Prapaskena

Bashkëpunëtori i SPAK rrëfen krimet e Ymer Lalës, vrasje, djegie kufomash dhe drogë, implikohen politikanë të lartë

Publikuar: 11/03/2021

Bëhet fjalë për të penduarin Luftar Reçi, i dënuar për vrasje, por që ka nisur të rrëfejë për SPAK krimet 15-20 viteve më parë, të bandës së Lul Berishës në Durrës, vrasjet e bujshme dhe krime të rënda të personazheve me lidhje të forta politike.

Në media është pasqyruar vetëm dëshmia e Luftar Reçit për vrasjen e Klodian Saliut dhe biznesmenit Vajdin Lamaj me porosi të Lul Berishës, ndërsa ka një përpjekje për të mbuluar dëshminë e tij për krimet pretenduara të Ymer Lalës, një personazh i akuzuar nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha si vrasës me pagesë, segment i rrezikshëm i krimit etj.

Ymer Lala doli edhe një herë në pah në dosjen 184 të vjedhjes së votave në Dibër, ku sipas përgjimeve, kishte lënë një takim me Edi Ramën, për çështjen e mbledhjes së votave në 2016. Lala thoshte se do të takonte ‘Bablokun e madh’, duke iu referuar Ramës. Më pas Ymer Lala u lidh me Shpëtim Idrizin, ku nxori deputete vajzën e tij, Reme Lala, e cila kaloi me Partinë Socialiste. Edi Rama ishte në negociata për ta kandiduar atë në Kamëz, por befas u tërhoq, siç duket pas presionit të fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat i kanë dhënë ultimatum Ramës për lista të pastra.

Në dhjetor 2020, Luftar Reçi, i cili pretendon se është bashkëpunëtor në krimet e Ymer Lalës, ka bërë një rrëfim televiziv. Asnjë nga televizionet nuk ka pranuar që ta transmetojë rrëfimin tronditës të Reçit. Dëshmia e të penduarit të SPAK është publikuar vetëm 6 ditë më parë në një televizion lokal. Reçi shprehet se Ymer Lala e kishte porositur për të vrarë Maks Lalën.

Sipas tij, Ymeri kërkonte ta eliminonte Maksin, pasi më parë e kishte pasur ushtar dhe e urdhëronte për krime të ndryshme. Me kalimin e kohës, Maksi ishte distancuar dhe vijonte trafikun e drogës në Maqedoni, ndërsa Ymer Lala kishte frikë se mos fliste.

Në këmbim të vrasjes së Maks Lalës, Ymer Lala do të vriste një nga armiqtë e Luftar Reçit në Dibër, me të cilët ai ishte në hasmëri.

Luftar Reçi, një personazh i njohur i botës së krimit në Shqipëri, i ka dërguar edhe një letër kryeprokurorit, ku kërkonte të rrëfente krimet. Nuk dihet se për cilin kryeprokuror e kishte fjalën, për Arta Markun apo për Olsion Çelën. Megjithatë, cilido që e ka marrë këtë letër, është fakt se drejtësia ka heshtur, duke mbuluar një sagë krimesh, për të cilën Reçi thotë se nëse do të ketë drejtësi, duhet të hapet një burg i ri.

Pjesë nga rrëfimi i Luftar Reçit:

“Vrasja e Maksim Lalës është urdhëruar nga Ymer Lala. Oferta më është bërë mua nga Ymeri. Kishte një vit që ma kishte bërë ofertën: Aman më mbaro punë, më mbaro punë, do të ndihmoj. Bëhej fjalë për ndihmë reciproke, pra për këmbim. Maksi i kishte deklaruar edhe familjes së vet, edhe shoqërisë së vet, që Ymer Lala do që të më vrasë. Madje i kishte lënë amanet familjes së vet, që mua nëse me ndodh diçka, me ndodh nga Ymer Lala. Pse? Sepse sipas Ymerit, babait i Maksit, i kishte futur në burg babanë në kohën e komunizmit dhe se tani kishte ardhur koha për hakmarrje. Por, në bisedat që kam pasur me Maksin, pasi Maksi ishte afruar tek ne, nuk ishte kjo arsyeja. Kur Ymeri ishte person në kërkim, Maksi ishte ushtar i Ymerit. Maksi i dinte shumë gjëra. Maksi ishte rritur dhe kishte filluar të flasë…

Maks Lala është vraë në 9 maj 2005. Kufoma është gjetur e djegur me benzinë. Këtë muhabet e di e gjithë Dibra.

Ka ardhur momenti për të thënë të vërtetën sepse u lodha. Pasi e kam njoftuar unë me mesazh ‘se mbaroi puna nga Puçi’, në nesërmen kam shkuar dhe e kam takuar tek lokali i vet ‘Olimpiku’ në Tiranë. Aty ndodhej edhe vëllai i vet Fatbardhi. Pasi i kam treguar, pasi ai e dinte se e kisha bërë unë, pasi kisha interesin që edhe ai të mbaronte punën time (për të vrarë hasmin e tij), aq i gëzuar ishte saqë thërriste ‘o babuq, o babuq’, dhe përqafonte vëllain.

Faktet? Po. Ka ardhur në Burrel pas katër viteve, dy herë, Ka ardhur edhe këtu vjet. Dy herë ka ardhur në Peqin. Kam kontaktuar me të vazhdimisht. Për takimet në burg shënohen gjërat. Kam edhe prova të tjera. Unë i kam dërguar shumë letra Ymerit. Në shumë letra i kam kërkuar llogari: Kujt ia kam borxh këtë burg? Filani a u vra për ty? Pse nuk përgjigjesh. Një herë me jepte 1 milionë lekë. 7 muaj mbyllte telefonin. Duhej t’i lutesha dy muaj që të më mbushte telefonin. Një muaj që të më jepte 300 mijë lekë. Ta verifikojë prokuroria përmes telefonit. Para 3 javësh i kam dërguar mesazh në 1 të natës. Kam komunikuar ditë e natë me të, me SMS.

Unë për vetë nuk i kam nxjerrë asnjë pikë gjak Maks Lalës. (e ka vrarë Puçi). Ka një javë që i kam dërguar një letër prokurorit të përgjithshëm, që pas kaq kohësh dua të them të vërtetën. Nuk kam marrë përgjigje akoma. I kam thënë se do të vë në dijeni edhe ambasadorin amerikan. Unë kam rrëfyer shumë gjëra, që po të këtë drejtësi, duhet me u hap një burg i ri në Shqipëri”./Pamfleti

Videoja e plotë

https://www.facebook.com/shijaktv/videos/706031910089056/?app=fbl



Më të lexuarat