Kryeministri Edi Rama ka bërë sot një skanim të listave të kandidatëve që u dorëzuan një ditë më parë në KQZ. Rama tha se skuadra e Partisë Socialiste është më e mira dhe beson se do të arrijë një fitore në 25 Prill.
Për Partinë Demokratike, Rama u shpreh se lista e PD ishte zhgënjyese për të dhe e quajtur afirmim të fosilizimit. Ndërkohë listën e LSI e quajti, liste e SPAK-ut dhe OFL-së.
Me lejoni të bëj një përkufizim si e shoh unë karakterin e forcave që janë tanimë publikisht të përcaktuara mes formacioneve të tyre ne fushën e ndeshjes së 25 Prillit. PD e mishëron me formacionin e saj karakterin e Shqipërisë. Ne kemi një skuadër që shkon përtej PS-së dhe reflekton fuqinë e vetë ndryshimit. PS lindi nga një fuqi vetë ndryshimi në kushte historike dramatike dhe nën drejtimin e Nanos pati ndryshim. Në gjithë periudhën e jetës sime kam dashur ta gdhend këtë dhe kam bindjen që kjo është e vetmja mënyrë që në parti ti rezistojë kohës.
Skuadra e PD është, është, zhgënjyese dhe për mua. Unë nuk besoj se ky mund të ishte maksimumi që ndodhet, pavarësisht situatës së vështirë ku ndodhet për shkak të lidershpitit të karakterit. Unë nuk besoj që rrethi apo perimetri i PD të jetë kaq i ngushtë dhe nuk ofron dot më shumë se ka. Lista e PD është afirmimi i fosilizimit.
Për LSI-së nuk dua të humbas kohë është listë e SPAK dhe OFL-së. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe dhe më vjen keq për shumë të rinj dhe të reja që nuk i përkasin këtij organizimi që janë enturazh si mezet rreth karkalecave të tiganit të Monikës. Është katandisja keq e më keq e një partie që ka luajtur rol në proceset demokratike të Shqipërisë, që sot është një magazinë private që menaxhohet nga gruaja e Presidentit.
Së pari PS bën një dallim të qartë me forcat e tjera dhe vazhdon të thellojë një proces që është një proces historik dhe një proces fiziologjik në vetë PS-në, të ngushtimit të vazhdueshëm të hendekut gjinor. Ne kemi 10 gra nga 12 përfaqësues të shoqërisë dhe partisë në vendin e parë në çdo qark. Dhe 7 nga 12 janë prurje të reja, janë njerëz që vijnë me kontribute në shoqëri dhe ndajnë me ne vizionin dhe bindjet mbi shoqërinë. PS ka një skuadër që e harmonizon mirësinë, eksperiencën dhe muskulaturë ka shoqërinë”, tha Rama.