Shumica e familjeve shqiptare punojnë 30 vite për të blerë një shtëpi modeste, ndërsa gjyqtarja e Tiranës Fida Osmani, edhe pse vetëm me paga shtetërore, i blen apartamentet si të ishte duke blerë çokollata te dyqani i lagjes.
Bëhet fjalë për gjyqtaren e famshme me dy emra, e cila u zbulua vite më parë se i zhvillonte gjyqet gjatë udhëtimeve jashtë shtetit, pra në avion, tren apo në jahte.
Kjo gjyqtare vijon edhe sot të ‘japë drejtësi’ me çekiçin e saj në Gjykatën e Tiranës. Nga ana tjetër, kjo gjyqtare nuk kishte se si të kishte një pasuri normale.
Fida Osmani ka deklaruar në letrat e firmosura me dorën e saj, një apartament 3+1, dy banesa private në Peshkopi, apartament 3+1, por nuk kuptohet nëse është e njëjta pasuri e deklaruar në 2003 apo është tjetër pasuri, megjithëse vlera e tyre ndryshon.
Gjyqtarja deklaron edhe apartament 1+1 në emër të djalit në Durrës. Në vitin 2010 deklaron se ka blerë zyra, por jo vlerën e tyre. Në 2017, deklaron edhe blerjen e një apartamenti 95.60 m2, në Tiranë me vlerë mbi 90 mijë euro.
Në vitin 2018, nuk dihet se nga ka mbirë edhe një lokal, pasi deklaron të ardhura nga lokali me qira.
Në vijim do japim indicie të forta, të cilat ngrenë dyshime se Fida Osmani ka përfshirë të birin në pastrimin e parave të saj të pista.
Do japim detaje se si e punësoi vajzën në Kuvendin e Shqipërisë sapo mbaroi shkollën, veprim i cili do të nxjerrë në skenë edhe Gramoz Ruçin.
Të rinjtë shqiptarë presin me vite për të gjetur një punë në administratë, ndërsa vajza e saj është punësuar me lehtësi sikur kreh flokët te parukieria.
Me dosjen e pasurisë që disponojmë, Fida Osmani nuk ka asnjë shans të kalojë Vetingun.
Ajo po jep vendimet e fundit të dyshimta deri kur t’i vijë ora e llogaridhënies para Vetingut dhe ONM. Por, faktet që do publikojmë në vijim duhet të ‘zgjojnë’ SPAK për të vepruar. Ndëshkimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve KÇK është një nga kushtet kryesore për integrimin e Shqipërisë në BE./Pamfleti