Prapaskena

Zhdukja e biznesmenit italian, Shqipëria kërkon nga Italia verifikimin e llogarive bankare

Publikuar: 05/03/2021

Detaje të reja kanë dalë në dritë sa i takon hetimeve që po ndërmerren pas zhdukjes së mistershme dhe djegies së makinës me të cilën biznesmeni italian Davide Pecorelli lëvizte në Shqipëri.

Mësohet se pala shqiptare i ka dërguar një letërporosi homologëve italianë që të verifikojnë të gjitha transaksionet bankare që ai mund të ketë bërë në muajt e fundit me shtetas shqiptar.

Po ashtu mbetet ende në pritje analiza e ADN-së, nëse mbetjet kockore në makinën që u gjet e djegur në Pukë i përkisnin apo jo biznesmenit italian, që kishte ardhur në Shqipëri për të imvestuar në fushën e qendrave estetike, dhe aparaturave me lazer.

Prokuroria shqiptare ka kërkuar po ashtu nga Italia që të merren në pyetje partnerët që Pecorelli kishte në biznes.

Ndër të tjera në letër-porosinë kërkohet edhe verifikimi pranë kompanive italiane të telefonisë të gjithë numrat e tij dhe kontaktet që ka pasur me numrat shqiptar. Një pikë e rëndësishme është edhe raportet që ka pasur me familjet. Tre janë pistat që grupi hetimor shqiptar në bashkëpunim me atë italian, janë fokusuar në zhdukjen e biznesmenit italian në Shqipëri, Davide Pecorelli.

Dyshohet për zhdukje të vullnetshme, vetëvrasje dhe vrasje. Nga hetimet paraprake s’ka asnjë provë për vrasje, përfundim i dalë edhe nga ekspertët italianë gjatë vizitës së tyre në Shqipëri pak ditë më parë.

Pista më e fortë është ajo e vetëvrasjes.

Biznesmeni mbërriti në Shqipëri në 3 Janar. Nga 4 deri në 6 Janar ai rezervoi hotelin e turizmit në Pukë. Më 4 dhe 5 janar, ai fjeti aty dhe ishte i vetëm. Ditën e tretë, ndërsa po kthehej në rrugën e vjetër nga Shpali për në Pukë, afër fshatit Gjegjan, automjeti i tij me qira u gjet i djegur.

Ndërkohë, as hetuesit italianë dhe as shqiptarë nuk janë ende në gjendje të përcaktojnë nëse Davide ishte në makinën e djegur afër Pukës. Kjo për faktin se brenda automjetit u gjetën vetëm disa eshtra dhe sende personale, teksa pastori që thirri policinë tha se nuk kishte dëgjuar ndonjë thirrje për ndihmë.

45-vjeçari Davide Pecorelli nuk ka pasur kontakte me familjen e tij që nga 6 janari. Ai gjendej në Pukë dhe të gjithë njerëzit që e kishin parë atë në hotel, dy ditë para zhdukjes së tij, thanë se ai ishte vetëm. Që nga ajo ditë nuk dihet fati i tij, nëse eshtrat e gjetur në makinën e tij ishin të tij, apo çfarë ndodhi realisht me biznesmenin italian.



Më të lexuarat