Luan i pamposhtur i ringut deri më sot. Boksieri shqiptar Florian Marku triumfon ndaj britanikut Rajlan Çartlon në arenën mitike “Uembli” të Londrës duke mbetur i pamposhtur deri më sot.
“Mbreti shqiptar” triumfoi me nokaut teknik në raundin e tetë.
28-vjeçari dhe rivali Çarlton dhuruan një duel spektakolar mes tyre duke shfaqur hapur agresivitetin dhe dëshirën për të fituar.
Boksieri anglez e nisi në mënyrë të furishme sfidën duke mbajtur nën presion Markun, por shqiptari u shfaq tepër i qetë duke provokuar kundërshtarin me fjalë.
Më pas, ai mori kontrollin e ndeshjes dhe ndoshta do ta kishte mbyllur sfidën më herët duke nëse gongu nuk do të binte në raundin e katërt, kur Marku e kishte vënë përpara Çarltonin.
Megjithatë, britaniku u kundërpërgjigj në mënyrë befasuese duke hedhur në tapet në raundin e gjashtë Markun, por sërish boksieri shqiptar nuk shfaqi pasiguri.
Me vazhdimin e duelit, Marku tregoi kompaktësi dhe rezistencë ndërsa rivali shfaqi dukshëm lodhjen. Në raundin e tetë, Florian Marku bllokon dhe bombardon me grushte Çarltonin duke detyruar stafin e boksierit anglez të dorëzohet dhe të mbyllë ndeshjen.
Në karrierën si boksier profesionist në peshën “welterweight”, Florian Marku regjistron 7 fitore dhe një barazim. Ai shfaq hapur ambicien për tituj.
Një moment i veçantë ndodhi në fund të duelit teksa stafi i boksierit Çarlton hedh peshqirin në shenjë dorëzimi duke parë furinë e grushteve që boksieri anglez po merrte prej Markut. Boksieri shqiptar kap peshqirin dhe feston duke kërcyer.