Arrestohen 7 persona për ekzekutimin e Armando Beqirit në derë të shtëpisë në Islandë, tyre ‘bosi i drogës’
Shtatë persona janë arrestuar në lidhje me ekzekutimin e Armando Beqirit në derë të shtëpisë në Islandë. Mes të arrestuarve, është vetëm një Islandez kurse të tjerët janë shtetas të huaj.
Sipas medieve të huaja islandezi i arrestuar është Anton Kristinn, i cili raportohet se ka qenë aktiv në botën e drogës për vite me radhë. Ai është deklaruar i pafajshëm për përfshirje në veprimtari kriminale dhe apeloi urdhrin e paraburgimit në Gjykatën Kombëtare
Të arrestuarit e tjerë që janë të huaj kanë punuar për Anton Kristinn, i cili raportohet se ishte në një pozicion të vështirë në botën e krimit këto ditë pasi akuzohej se kishte qenë informator policie për vite me radhë. Të huajt thuhet se janë sjellë në Islandë për të mbrojtur Antonin.
Beqiri është ekzekutuar me pistoletë silenciator të shtunën në derë të shtëpisë, rreth orës 23:57, sapo ishe kthyer në shtëpi dhe kishte parkuar makinën. Autori i cili po e priste e ka qëlluar me më shumë se 5 plumba, pas shpine, në qafë dhe kokë, duke bërë që 33 vjeçari të ndërronte jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Ai jetonte prej vitesh në Islandë dhe ishte pronar i një kompanie sigurie fizike, që në shumë pak kohë kishte arritur një sukses të menjëhershëm. 33-vjeçari la pas gruan e tij shtatzënë dhe një djalë të vogël, të cilët ishin në shtëpi kur ai u qëllua. 33 vjeçari nga Tepelena dyshohet se është i përfshirë në aktivitet kriminal, dhe një nga pistat e vrasjes së tij është për larje hesapesh.