SPAK-u, produkt i investimit amerikan në Shqipëri, shpartalloi tre ditë më parë një bandë korrupsioni në Krujë, duke tronditur për herë të parë edhe kupolën politike të Tiranës, e cila përfaqëson perandorinë e korrupsionit në vendin tonë.
Pas një hetimi disa mujor, SPAK i vuri prangat gjyqtares famëkeqe të Krujës, Enkelejda Hoxha, e cila po lironte një nga një të dënuarit me burgim të përjetshëm, në këmbim të parave të pista.
Hoxha u prangos teksa po lironte të dënuarin e radhës për vrasje, Sajmir Petajin, ndërsa më parë ka liruar Genc Tafilin, Ilir Pajën, Indrit Doklen dhe Hekuran Billën, dy prej tyre të dënuar me burgim të përjetshëm. Hekuran Billën e vranë pas lirimit nga burgu.
Gjatë kontrollit të banesës, gjyqtares i gjetën vetëm 10 mijë USD.
Gjyqtarja gjithashtu nuk ka asnjë pasuri në emrin e saj, ndonëse për të liruar një të dënuar me burgim të përjetshëm pazari dyshihet se varion nga 500 mijë euro deri në 1 milionë USD.
Në letra, Enkelejda Hoxha ka vetëm pagën.
Por, pas saj fshihet një ‘peshk i madh’. Ai është Rasim Doda, ish burri i Enkelejda Hoxhës.
Rasim Doda është gjyqtar në Sarandë, i dënuar për korrupsion, pasi e kishte pazarin 80 mijë euro për një çështje, por Apeli e ka rrëzuar dëninin e shkallës së parë në 2017, vetëm për shkelje procedurash, pasi pazari 80 mijë euro nuk vihet në dyshim në asnjërin prej vendimeve të gjykatave.
Në Shqipëri ndëshkimit me procedurë i kanë shpëtuar edhe Lulzim Basha, Fatmir Mediu, Gjin Gjoni etj.
Doda ka qëndruar vetëm tre javë në burg, më pas në arrest shtëpie dhe në vijim i lirë.
Sot nuk dihet se si ka përfunduar dosja e tij, por është fakt që Doda ka qenë bashkëshorti i Enkelejda Hoxhës. Madje ata kanë edhe një fëmijë bashkë.
Në dokumente rezulton se Rasim Doda ka bërë edhe disa pagesa për Enkelejdën për shpenzimet e fëmijës, pas ndarjes.
Ka dyshime të forta se çifti është ndarë vetëm në letra. Çuditërisht, gjyqtarja Hoxha banon në një apartament tek Komuna e Parisit në Tiranë, por në deklarata pasurie nuk deklaron asgjë.
Nga ana tjetër, Enkelejda Hoxha vijonte pazaret në Gjykatën e Krujës falë Bujar Nishanit dhe sidomos Ilir Metës. Hoxha ka liruar nga burgu Ilir Pajën dhe Genc Tafilin gjatë kohës kur Ilir Meta ishte në krye të KLD-së, institucioni që duhet ta shkarkonte gjyqtaren.
Meta dhe dy të besuarit e tij Gjin Gjoni dhe Marsida Xhaferllari, jo vetëm nuk e shkarkuan, por edhe e vlerësuan.
Arsyet se pse Meta ka heshtur dhe nuk ka marrë asnjë masë ndaj gjyqtares Hoxha, kur kjo e fundit u hapte derën e burgut kriminelëve, merren lehtësisht me mend.
Meta vepron dhe hesht vetëm nga forca e parave. Kjo është edhe arsyeja se pse Ilir Metës i iku zëri kur komentoi arrestimin gjyqtares nga SPAK.