Kur një ish-shofer Ziz-i merr nën menaxhim aeroportin e vetëm të Shqipërisë, pa asnjë eksperiencë në këtë fushë, por duke korruptuar qeveritarët e radhës për t’i zgjatur kontratën në kurriz të shqiptarëve, nuk mund të ndodhë ndryshe.
Mbrëmjen e së shtunës, kaosi, paaftësia dhe nervozimi mbizotëronin në Aeroportin e Rinasit, i cili që në fund të vitit 2020 menaxhohet nga kompania “Kastrati Group” e Shefqet Kastratit, i cili bleu koncesionin për 71 milionë euro tek “Real Fortress Private Limited”, në pronësi të grupit kinez të shërbimeve financiare “China Everbright”.
Kanë mjaftuar disa flokë dëbore për të nxjerrë në pah paaftësinë, produkt i korrupsionit qeveri-oligark, që mbulohet nga heshtja e mediave, e blerë nga Kastrati me paratë që u grabit shqiptarëve me traun në Rrugën e Kombit, naftën, tenderat, koncesionet etj.
Avionët nuk ngriheshin pasi pista nuk ishte e pastruar, për shkak të paaftësisë së klanit famijar Kastrati që ka zaptuar aeroportin e shqiptarëve, me lejen e qeverisë, e cila ka braktisur interesin publik për oligarkun.
Mungonte koordinimi, makineritë për pastrimin e pistës, informimi, ishte një dështim total dhe skandaloz.
Përfaqësuesit e Kastratit mashtronin udhëtarët që prisnin, nuk dinin se çfarë flisnin dhe sajonin lloji-lloji alibish banale.
Disa të huaj janë skandalizuar dhe llahtarisur nga paaftësia dhe mendësia që po instalon i biri i Çetit, ndërsa qytetarët shqiptarë silleshin të nevozuar rreth aeroportit.
Nisja e avionëve është zhvendosur në kohë. Udhëtarët që duhet të niseshin në mesnatë, kanë pritur deri pasditen e sotme. Ata që kishin prerë biletat për t’u nisur pasditen e sotme, janë zhvendosur për nesër. Askush nuk mban përgjegjësi.
Drejtuesit e ministrisë së Transportit dhe strukturat në varësi, që paguhen për të mbrojtur interesin publik dhe për zbatimin e kontratës, nuk kanë reaguar, pasi Kastrati i ka mbuluar me paratë që u vjedh shqiptarëve dhe me paratë e pista që pastron në ndërtim. Kastrati është lavatriçja më e madhe e parave të pista në Shqipëri.
Kjo është njëra anë e skandalit. Ana tjetër konsiston në faktin se media dhe opozita shqiptare, të cilat duhet të jenë mburoja e fundit e interesit publik, shtylla e fundit e besimit, nuk e kanë sinjaluzuar dhe raportuar skandalin, pasi janë blerë nga Kastrati.
Mediat u vunë në rresht për të raportuar faktin se Kastrati bleu koncesionin e Rinasit dhe që qeveria çoi në Kuvend marrëveshjen korruptive për të zgjatur këtë koncesion me 13 vjet, pasi u paguan me radhë nga oligarku, por nuk thonë asnjë fjalë për situatën skandaloze që po krijon klani familar i oligarkut në Rinas, duke mos pasur eksperiencë në këtë fushë. Dhe nuk ka si të thonë!
Kompromentuese është edhe heshtja e opozitës me në krye Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin, Ilir Metën dhe Sali Berisha. Lulzim Basha u betua për muaj me radhë se do ta hiqte traun e korrupsionit të Kastratit në Rrugën e Kombit, vendosur me dorën e Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt, por ka disa muaj që Basha ka mbyllur gojën. Arsyeja se pse qëndron tek paratë. Çeti po hep para kunatit të Bashës, duke sajuar disa kontrata. Ndaj Basha nuk ka se si të flasë.
Ndërkaq, një aferë me përmasa të mëdha dhe anti-shqiptare po përgatitet nga Edi Rama dhe Arben Ahmetaj për interes të Kastratit.
Për ata që nuk e dinë, Ahmetaj, i vetëshpallur Tigri i Qeverisë, është sekseri i Kastratit në qeveri. Ahmetaj paguhet rregullisht nga Çeti për çdo aferë qeveritare në interes të biznesit të tij.
Kur shqiptarët po prisnin prej vitesh fundin e monopolit të fluturimeve, qeveria shqiptare ka negociuar dhe arritur një marrëveshje sekrete për ndryshimin e kontratës së koncesionit të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, duke e zgjatur kohëzgjatjen e saj nga 22 vjet në 35 vjet, për interes të Kastratit.
Projekligji për miratimin e ndryshimeve të kësaj kontrate është dorëzuar në Kuvend.
Si argumet thuhet se Kastrati do investojë 100 milionë euro, duke zgjatur pistën dhe do ulë çnimin e biletave. Pse kaq budalla është Kastrati?!
Ai do fitojë mbi 300 milionë euro në kurriz të shqiptarëve, ku sigurisht një pjesë e parave do ndahen me Ahmetaj, Ballukun & co.
Media hesht. Opozita është e blerë. Qeveria është pjesë e korrupsionit. Vetëm SPAK mund ta ndalojë këtë aferë.
Përgjatë të gjithë këtyre viteve, Aeroporti i Rinasit ka mbajtur çmime të larta të arritura përmes negociatave me Ministrinë e Transportit dhe ka realizuar fitime të mëdha deri në 33 për qind mbi të ardhurat e veta.
Aeroporti i Rinasit është rasti tipik i një kontrate koncesionare të negociuar nga një qeveri në dëm të interesave të vendit, gjë që është pranuar deri më sot nga të dyja palët politike që kanë qeverisur Shqipërinë.
Ajo është një nga shumë kontratat koncesionare të cilat kanë krijuar situata de jure apo de facto monopolesh, duopolesh apo oligopolesh, të cilat kanë rënduar në mënyrë të panevojshme kostot në ekonominë shqiptare duke realizuar fitime të pamerituara për kompanitë koncesionare.
Koncesioni i aeroportit të Rinasit u dha nga qeveria e kryeministrit Fatos Nano në vitin 2004 me një afat 20 vjeçar.
Kohëzgjatjes së kontratës iu shtuan dy vjet në vitin 2016, në shkëmbin të heqjes dorë nga koncesionari nga klauzola e ekskluzivitetit për fluturimet ndërkombëtare.
Kompania e koncesionit u shit disa herë, pasi realizoi fitime të majme gjatë dekadës së fundit duke mbajtur tarifa të larta dhe duke mos i realizuar të gjithë investimet e dakordësuara.
Nga viti 2009 deri në vitin 2019, kompania koncesionare Tirana International Airport sh.p.k realizoi 55.6 miliardë lekë (400 milionë euro) të ardhura dhe 17 miliardë lekë fitime (131 milionë euro), për një normë fitimi mbi të ardhurat mbi 33 %, ndërkohë që kapitali i nënshkruar i kompanisë është 1.2 miliardë lekë (9 milionë euro).
Relacioni i qeverisë që shoqëron projektligjin e publikuar nuk sqaron nëse qeveria ka bërë apo jo një vlerësim të kostove dhe përfitimeve nga zgjatja e kontratës së koncesionit. Nuk ka si ta bëjë këtë sqarim pasi Kastrati i ka dhënë Ahmetajt valixhen me para. Që të dy e dinë se shumë të tjerë e dinë!
Normalisht qeveria duhet të bëjë një tender për këtë koncension dhe Kastrati, nëse dëshiron, të marrë pjesë si i barabartë me konkurrentët e tjerë. Por, po veprojnë ndryshe, me manovra korruptive, pasi Kastrati nuk ka eksperiencë në këtë fushë dhe nuk konkurron dot.
Nëse një ditë në Shqipëri do ketë drejtësi, kjo zgjatje kontrate do të çojë shumë koka në burg. Kjo është edhe arsyeja se pse Edi Rama po mendohet.
Megjithatë, kapja e aeroportit të Rinasit nga Kastrati është vetëm maja e aisbergut. Degë të shtetit shqiptar punojnë çdo ditë për oligarkun, duke i dhënë tendera pafund, leje ndërtimi, koncensione dhe favore të tjera të shumllojshme, që do t’i shtjellojmë në vijim me fakte dhe dokumente.