Apeli i ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim, nuk e ka penguar Tom Doshin që të kandidojë në zgjedhjet e 25 prillit. Report Tv bën me dije se Doshi ka dorëzuar ditën e sotme kërkesën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhje. Këtë kërkesë ai e ka bërë në cilësinë e kryetarit të PSD-së.
Një vendim i tillë i Tom Doshit vjen pak ditë pasi ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim bëri një apel për kandidatë të pastër. Ajo solli në vëmendje pikërisht rastin e Tom Doshit, të cilit i është refuzuar viza amerikane duke e akuzuar për korrupsion, duke thënë se Shqipëria meriton kandidatë më të mirë.
Në ditën në vijim KQZ pritet të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e partive që kanë depozituar për regjistrim.
Në vitin 2018 Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli Doshin të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA, për shkak se akuzohet për korrupsion. Tom Doshit dhe familjes së tij iu ndalua hyrja për në SHBA gati 3 vite me parë. Tom Doshi u bë zyrtari i dytë nga Shqipëria, pas ish kryeprokuorit Adriatik Llalla, të cilit i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara. Ky ishte një vendim i prapritur nga Uashingtoni, pasi ndaj Doshit nuk ka akuza të artikuluara publikisht nga institucionet ligjzbatuese.