Ish- kryeministri Fatos Nano ka folur për marrëdhënien e tij më Sali Berishën. Ai është shprehur i bindur se nëse Sali Berisha nuk do të ishte në opozitë, Shqipëria do të kishte ecur më përpara, pasi e ka cilësuar atë si një politikan konfliktual që e ka të vështirë që të pranojë mendimin ndryshe.
Nano ndalet në 2 episode të rëndësishme, ku gishtin e drejton nga Berisha, që është burgosja e tij dhe 21 janarit. Për këto 2 ngjarje, Nano thotë se Berisha është marrë personalisht me to, madje ai shkon më tej duke thënë se nga “kafshë politike”, pas 21 janarit, Berisha mbeti vetëm një “kafshë”.
“Do përpiqem të jem i drejtë dhe i sinqertë. Sali Berisha hyri në politikë si intelektual humanist, mjek kardiolog. Në momentin që mori drejtimin e PD, u bë politikan. E them këtë gjë, sepse intelektuali dhe politikani me kalimin e kohës i lënë vendin njëri – tjetrit. Janë të rralla rastet ku politikani mbetet intelektual sa duhet. Më pas ai ka mbikëqyrur, që nga ideja e parë që hodhi vetë deri në realizim, atëherë kur ra shtetit në ‘97 burgosjen dhe mbajtjen time në burg, është marr “in persona” me këtë gjë. Berisha mund të thotë shumë gjëra, përfshirë edhe 21 janarin, por unë kam të dhëna të kohës, me të dhëna nga njerëz dëshmitarë në zyrën e tij, kur ai është marr “in persona” me mbajtjen time në burg. Dhe me burgosjen e liderit të opozitës, ai u kthye në kafshë politike. Politikanët janë kafshë politike dhe kur marrin vendime të tilla nuk mund të mos u thuash kafshë politike. Në 21 janar, ai mbikëqyri, drejtoi dhe u përpoq të mbulonte vrasjen e 4 njerëzve të pafajshëm përballë një proteste masive, popullore. Janë të njohura nga shumë njerëz faktet për këtë gjë dhe veçanërisht sjellja e Berishës përballë fakteve. Dhe unë jam i detyruar të them që në 21 janar 2011, Sali Berisha pushoi së qeni politikan dhe mbeti…Pjesa tjetër…. që po e dëshmon tani me qytetarin digjital. Nëse nuk do ishte Berisha në krye të opozitës, Shqipëria do kishte ecur më shpejt”, tha Nano.
Për Nanon, me Berishën ishte e pamundur një komunikim paqësor për të mirën e vendit.
“Në periudhën e parë ai pati, krijoi dhe ushtroi autoritetin e marrjes së vendimeve të mëdha, si në drejtim të krijimit të institucioneve të reja demokratike, ashtu edhe në ekonomi. Ai ka qenë i përfshirë personalisht në vendimet e mëdha, që do të thotë; i gatuante vendimet e mëdha sipas mendimit të tij. Më kujtohet në një intervistë në BBC, ku duke folur për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme e shoqëron me gjest. E trajtoi si lodër të vogël, ky vendim në kuptimin e tij, do të kalonte në mendimin e tij dhe lënien mënjanë të atyre që e kundërshtonin. Ndërkohë ai erdhi duke e thelluar sjelljen dhe kuptimin apo veprimet e njeriut të konflikti. Dhe njeriu që ka ngulur konfliktin që edhe sot e kësaj dite nuk po largohet dot në politikën shqiptare është Sali Berisha. Dhe di vetëm mënyra konfliktuale për të realizuar ambiciet e veta. Është e pamundur të kesh një proces paqësor të shtrirë në kohë për të arritur synime të mëdha me kostot më të ulëta me Sali Berishën”, tha Nano.
Në vijim të kësaj deklarate, ai këmbëngul që nëse Berisha nuk do ishte në opozitë, kostot për Shqipërinë do kishin qenë më të pakta dhe një tranzicion më i butë.
“Berisha ka qenë dhe është rritur si politikan i konfliktit, nëse nuk do të ishte Berisha në krye të opozitës, kjo është bindja imë e patundur e mbështetur në 30 vite politikë, Shqipëria do kishte ecur shumë më shpejt, me shumë më pak kosto dhe me tranzicione normale më të shpeshta”, përfundoi ai.