Mëngjesin e sotëm është gjetur i pajetë në apartamentin e tij një shtetas i huaj. Ngjarja është regjistruar në fshatin turistik të Tushemisht në qytetin e Pogradecit ndërsa paraprakisht sipas policisë dyshohet se ky shtetas të ketë ndërruar jetë për shkaqe natyrale pasi ka pasur probleme shëndetësore.
Trupi i pajetë i këtij shtetasi është transportuar në morgun e spitalit të Pogradecit ndërsa pritet për t’u transportuar edhe në kryeqytetet për t’iu bërë me pas autopsia dhe për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Policia po heton për zbardhjen e mëtejshme të kësaj ngjarje ndërsa burimet thanë se viktima Najebul Hasan, rreth 60 vjeç është shtetas indian me nënshtetësi amerikane. Nga hetimet paraprake është mësuar se në banesë në vazot e luleve i është gjetur lëndë narkotike hashash. Sipas dëshmive viktima e kultivonte për konsum shëndetësor për sëmundjen që kishte.
Nga banorët mësohet se ai kishte 5 vjet që jetonte në Tushemisht ku kishte blerë një apartament, pasi mjekët e kishin këshilluar për klimën. Po kështu njerëzit që e njihnin kanë treguar për policinë se ai kishte pësuar edhe dy herë paralizë më herët.