Personi që shihni në foton e mësipërme është Shkëlzen Kastrati, 42-vjeç i cili është ekzekutuar me armë zjarri paraditen e sotme në Fier.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 10:30, në vendin e quajtur “Ura e Sheqit”, ku një person ende i paidentifikuar ka hapur zjarr ndaj tij duke e lënë të vdekur në vend.
Autori është larguar nga vendngjarja me një automjet tip “Range Rover”, i cili u gjet nga shërbimet i djegur te vendi i quajtur “Mbikalimi i Baltzës”.
Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Vrasja e Shkëlzen Kastratit mendohet të jetë vazhdim i vrasjes së ndodhur në shkurt të vitit 2016 te zona e quajtur Mulliri i Artë.
Shkëlzen Kastrati është vëllai i shënjestrës së vrasjes së 5 viteve më parë por që u shpëtoi plumbave.
Klement Kastrati, i cili shpëtoi, ndërkohë që i vrarë mbeti një shtetas nga Patosi. 42 vjeçari Shkëlzen Kastrati është baba i 4 fëmijëve dhe nuk ishte i njohur për policinë.
Klement Kastrati, i vëllai i viktimës, i dënuar për plagosje dhe gjobëvënie në Belgjikë, rezulton si i përfshirë në një sagë hakmarrjeje me familjen Binjaku.
Atentati në 2016
Atentati ndodhi më 8 janar 2016, në periferi të Fierit dhe u raportua si njëvazhdimësi e konflikteve të vjetra mes familjes Kastrati dhe Binjaku.
Pavarësisht se deri tanimë ngjarjet që dyshohet të jenë kryer nga të dyja palët kanë mbetur pa autor, hakmarrja nga njëra anë dhe frika nga një hakmarrje e mundshme nga ana e familjes tjetër dyshohet se ka çuar në atentatin e mirorganizuar të 8 janarit, ku autorët kishin përfshirë si bashkëpunëtor edhe një oficer të SHISH-it.
Asokohe, u raportua se organizatori i vrasjes, Ermal Binjaku, i druhej një atentati të mundshëm ndaj tij. Frika vinte nga Klement Kastrati, për shkak të konflikteve të mëparshme.
Për këtë arsye, ai u dyshua se në bashkëpunim me Ylli Nazërajn, Ilir Memushajn dhe oficerin e SHISH-it, Florian Bushi, ka përgatitur atentatin e ndodhur në vendin e quajtur “Mulliri i artë”, jo shumë larg qytetit të Fierit, ku mbeti i vrarë Denis Kasaj dhe u plagosën rëndë Klemend Kastrati e Elton Margariti.
SAGA E HAKMARRJEVE MES DY FISEVE
Prokuroria e Fierit zbardhi asokohe ngjarjen duke dokumentuar edhe personat e përfshirë dhe rolin e secilit.
Oficeri i SHISH-it, Florian Bushi, siguronte informacion për lëvizjet e Klemend Kastratit që dyshohet se ishte objektiv i atentatit, por i shpëtoi vdekjes, pasi makinën e tij e drejtonte Denis Kasaj, i cili mbeti i vdekur në vend, si pasojë e breshërisë së plumbave që atentatorët qëlluan drejt tij.
Bushi ia kalonte këto informacione Ilir Memushajt nëpërmjet telefonit.
Ndërkohë, Ylli Nazëraj ka ndihmuar në marrjen me qira të makinës duke përdorur një tjetër person që nuk ka pasur dijeni për atentatin që do të kryhej.
Nazëraj ia ka dhënë më pas makinën Memushajt dhe dyshohet që të ketë drejtuar mjetin me të cilin janë larguar nga fshati Vajkan, ku braktisën dhe dogjën makinën që përdorën gjatë atentatit.
Nga të dhënat, dyshohet se shkaqet e konfliktit mes fiseve Binjaku dhe Kastrati janë ende të padokumentuara nga organet hetimore, por dyshohet se kanë të bëjnë me ngjarje të vjetra.
Ngjarja e parë ka ndodhur në vitin 1994, kur mësohet se është vrarë një kushëri i Klemend Kastratit.
Pavarësisht se atëherë u dyshua që vrasja të ishte kryer prej vëllait të Ermal Binjakut, nuk u arrit të provohet asnjëherë dhe ngjarja mbeti pa autor.
Po ashtu, në vitin 2000, një tjetër i afërm i Kastratit është vrarë në Fier, ku i dyshuar mësohet të ketë qenë Ermal Binjaku. Edhe kjo ngjarje ka mbetur pa autor.
Por, për shkak të moszbardhjes së këtyre ngjarjeve, dyshohet se gjithçka ka çuar në vetëgjyqësi, ku njëra palë që ishte dëmtuar dy herë mendohet se kërkonte hakmarrje.
Ndërsa pala tjetër është përpjekur të eliminojë ata që kishte dëmtuar, me synimin që të mos mbetej askush që të kryente hakmarrjen.