Prapaskena

Pendohet Sali Berisha: Meta vrasës dhe hajdut, videoja me Priftin ishte e vërtetë

Publikuar: 30/01/2021

Sali Berisha perceptohet si faktori vendimtar që shpëtoi në janar të vitit 2012 Ilir Metën nga dënimi në Gjykatën e Lartë, përmes katër gjyqtarëve të emëruar nga Partia Demokratike. Prokuroria e Përgjithshme kërkonte dënimin e Ilir Metës me dy vite burg për korrupsion, bazuar në video-skandalin e publikuar nga Dritan Prifti, kur Meta shfaqej me një bllok të zi në dorë, duke bërë pazare me pasuritë publike, emërimet në administratë si dhe tregonte ndikimin e tij, në diktimin e vendimmarrjeve në Gjykatën e Lartë. Një ditë para vendimit, Sali Berisha, në atë kohë kryeministër, shkoi për darkë në shtëpinë e Metës. Berisha kujdes që të publikonte darkën në media, duke i dhënë një mesazh të qartë trupit gjykues.

Dhe trupi gjykues e mori mesazhin. Gani Dizdari, Majlinda Andrea, Arjana Fullani dhe Guxim Zenelaj votuan pro pafajësisë së Metës, ndërsa Ardian Dvorani votoi kundra, ku për rrjedhojë u shpall më vonë armik nga Berisha dhe Meta. Çuditërisht vetëm Ardian Dvorani dhe dy prokurorët që kërkuan dënimin e Metës e kaluan Vetingun. Ndërkaq, Sali Berisha nxitoi që në orët e para duke e shpallur videon montazh. Ekspertët ndërkombëtar konfirmuan vërtetësinë e saj, por ekspertiza u rrëzua nga gjykata, me kërkesë të avokatëve të Metës. Ky i fundit gjeti disa ekspertë të tij, të cilët e shpallën videon montazh.

Versioni i montazhit u përdor nga Berisha edhe pas vrasjeve të 21 Janarit 2011, për të ndërtuar teorinë e puçit të shtetit, një manovër kjo për të mbuluar krimin në bulevard. Natën e 23 janarit 2011, Sali Berisha deklaronte se “Pasi dështoi me të gjitha format, Rama u kthye te dhuna, montoi një video, një bisedë midis Zëvendëskryeministrit dhe ish-ministrit Prifti. Në këtë video, natyrisht, skenari nuk kompletohej me Zëvendëskryeministrin dhe ministrin. Skenari kompletohej po dilte koka, Kryeministri, dhe në këtë video, bashkë me çakallin e tij, paraqet një manipulim të ulët, sikur bisedohej për atë që nuk ishte biseduar kurrë. Natyrisht, kjo ishte një gjë shumë e rëndë, kjo ishte një gjë që imitonte në një farë mënyre skenarin hungarez”.

Katër vjet më vonë, në mars të vitit 2015, Sali Berisha pranoi publikisht në Kuvend se videoja ishte e vërtetë. Më shumë se një pendesë, ishte pranimi i një të vërtete në shenjë hakmarrje ndaj Metës, dy vjet pasi ky i fundit braktisi koalicionin me PD-në. Është epike përplasje e ashpër mes Sali Berishës dhe Ilir Metës në seancën e datës 5 mars 2015, ku akuzonin njëri-tjetrin për vrasje dhe korrupsion. Berisha i kërkonte Metës të jepte dorëheqjen si kryetar i Kuvendi, pasi akuzohej se kishte porositur vrasjen e deputetëve Tom Doshi dhe Mhill Futi.

Nga ana tjetër, Meta i tha se e kishte dhënë një herë dorëheqjen në janar 2011 për Shkëlzenin, duke aluduar se i biri i Berishës ishte në videot e Dritan Priftit në mënyrë komprometuese. “Herën e parë, dorëheqjen e dhashë prej Shkëlzenit, se ai ishte në videon e Dritan Priftit, dhe ti e di shumë mirë…”, tha Meta. Ky është momenti që Sali Berisha për herë të parë pranon se videoja e Meta-Prifti ishte autentike. Duke iu përgjigjur Metës, Berisha thotë se “Kjo alibi që kërkon, është e turpshme. Dorëheqjen e parë e dhe për bllokun e Monikës! Tani jep dorëheqjen e dytë! Për 700 mijë euro dhe dorëheqjen herën e parë”.

Pas asaj seance, ‘akujt’ mes Berishës dhe Metës nisën të zbuteshin. Në verën e vitit 2016, ata e panë reformën në drejtësi si një rrezik të përbashkët, ku Berisha i kishe shpallur luftë publikisht, ndërsa Meta e kundërshtonte në prapaskenë. Përplasja e fundit u shënua në maj 2017, ku Lulzim Basha ndërmori një fushatë akuzash ndaj LSI-së. Megjithatë, raportet mes Berishës dhe Metës duket se ishin të ngushta, pasi vetëm disa muaj më pas, PD dhe LSI u bashkuan kundër qeverisë, duke zyrtarizuar edhe një aleancë më pas.
Nga 2017, Berisha dhe Meta ka vijuar luftën në një front kundër qeverisë, zhvillimeve në drejtësi dhe sidomos ndaj ambasadorëve të Perëndimit në Tiranë. Në dy mars të 2020, Berisha mori pjesë në mitingun e organizuar nga Ilir Meta në oborrin e Presidencës, për rrëzimin e qeverisë, ndërsa sot PD-LSI u kërkojnë votën shqiptarëve për t’u besuar qeverisjen e vendit pas 25 prillit. (Shqiptarja.com)



Më të lexuarat