Prapaskena

Zjarr në spitalin Covid, humbin jetën 4 pacientë

Publikuar: 29/01/2021

4 persona kanë humbur jetën në një spital në Bukuresht, pasi godina u përfshi nga flakët. Në këtë spital po trajtoheshin pacientë me koronavirus. Sekretari i Ministrisë së Brendshme, Raed Arafat, tha se tre pacientë janë gjetur të vdekur në spitalin Matei Bals, ndërsa i katërti ka vdekur, pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar.

Gjashtëdhjetë njerëz u transferuan në ndërtesa të tjera të Institutit Matei Bals dhe 44 të tjerë në spitale të tjera të Bukureshtit, tha ministri i Brendshëm rumun, Lucian Bode. Zjarri, i cili u shua, shpërtheu në katin e parë, rreth orës 5 të mëngjesit. Sipas zjarrfikësve, në ndërtesë kanë qenë reth 200 njerëz në kohën e zjarrit. Shkaku i incidentit nuk dihet ende. Ministria e Shëndetësisë sugjeroi se ai mund të jetë shkaktuar nga një qark i shkurtër elektrik.

Autoritetet kanë nisur tashmë hetimet. Rumania, njëri nga vendet më të varfra në Bashkimin Evropian, po përpiqet ta menaxhojë pandeminë e koronavirusit me një sistem të dobët shëndetësor dhe mungesa stafi.
Ky vend me 19 milionë banorë ka raportuar mbi 721,000 raste me koronavirus dhe mbi 18,100 viktima.



Më të lexuarat