Prapaskena

Tre plumba për Myslim Likën në Laç, vetë sapo kishte dalë nga burgu për vrasje, i biri në burg për dy vrasje të tjera në Mamurrës, ka bërë edhe një plagosje

Publikuar: 29/01/2021

60-vjeçari Myslim Lika u plagos dje me tre plumba, një afërt zemrës dhe dy në krah. Lika u dërgua me shpejtësi drejt Spitalit Ushtarak dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Myslim Lika sapo kishte dalë nga burgu për një vrasje në vitin 2000. Lika është babait i Ilir Likës, i arrestuar si bashkëpunëtor për atentatin e dyfishtë në Laç ku mbetën të vdekur biznesmenët Bujar Lika dhe Paulin Gjergji.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Mamurras, teksa 60-vjeçari kthehej nga varrimi pasi përcolli të motrën për në banesën e fundit, e cila vrau veten tre ditë më parë me armë zjarri. Pikërisht kthimi nga banesa e fundit e të motrës është prerë në mes nga atentatorët të cilët qëlluan me tre plumba Myslim Likën.

Policia e Kurbinit dhe FNSH-ja kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë rrethuar të gjithë zonën, për të identifikuar dhe kapur autorin.

Ky atentat mendohet ta ketë zanafillën nga një plagosje e kryer nga i biri Ilir Lika (Xhepaj), pasi ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri një vit më parë drejt Zef Markut. Gjithsesi pritet që të merret edhe dëshmia e vetë 60-vjeçarit për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen.

Ndërkohë, bashkëshortja e tij Dile Lika, ka thënë se Myslimi u qëllua me armë zjarri teksa po kthehej nga varrimi i së motrës. Ajo ka thënë se personat që e qëlluan ndodheshin brenda një makine të zezë Volswagen, sakaq ka shtuar se personat që ishin me bashkëshortin i kanë parë atentatorët.

“Myslimi ka qënë në varrimin e motrës së tij në Mamurras. U qëllua kur kthehej nga varrimi, teksa shkonte për te shtëpia e motrës nga një makinë e zezë tip Volswagen me xhama te zinj. Ai vetë dhe personat që ishin me të i kanë parë atentatorët. Është qëllua me plumb shumë afër zemrës. Bashkëshorti im ka vrarë Gëzim Çelikun dhe ka plagosur një shtetas italian. Iliri (djali) nuk ka gisht në vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit se më tha merr babin e shkoni bëni be. Ne nuk shkuam të kërkonim falje se burri është sëmurë. Ka shkuar baba i Eduart Lames i kanë thënë babës së Bujar Likës se te unë ta kesh gjakun, te asnjë tjetër. Për atentatin ndaj Myslimit dyshoj te Zef Marku, nuk e lidh plagosjen e burrit me dy vrasjet. Për dy vrasjet mund ta kishin vrarë në Tiranë burrin tim. Ne kemi pasur kërcënime plot”, tha Dile Lika.

Nga ana tjetër, edhe vetë Myslym Lika është një person me precedentë penalë. Ai sapo kishte dalë nga burgu pasi ishte dënuar me 25 vite për vrasjen e bashkëpronarit të një kompanie në Laç, Gëzim Çeliku dhe plagosjen e bashkëpronarit tjetër, italiani Luciano Bortolusi, ngjarje e ndodhur në vitin 2000.

Policia e Lezhës ka publikuar njoftimin zyrtar për atentatin në Mamurras. Në njoftim thueht se pas plagosjes së 60-vjeçarit Myslim Lika, efektivët e komisariatit Kurbin dhe FNSH-ja po krehin zonën. Gjithashtu janë ngritur pika kontrolli e është ‘blinduar’ i gjithë Kurbini, pasi uniformat blu janë vënë në lërkim të autorëve të atentatit.

“Rreth orës 13:25, në Mamurras,Kurbin, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi M.L.,60 vjeç,banues në fshatin Gjorëm, Kurbin i cili është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin mjekësor, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë në vendngjarje  kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe Grupi hetimor dhe vijon  puna për zbardhjen e plotë të  rrethanave të ngjarjes. Shërbimet e Policisë të D.V.P. Lezhë, të Komisariatit të Policisë Kurbin dhe FNSH-së  po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve,”- shkruhet në njoftim.



Më të lexuarat