Prapaskena

Mashtrimi me vaksinat / Shqipëria ende buzëqesh me 975 dozat, pas darkës te Nusreti, duhet një skandal që vijë doza tjetër

Publikuar: 27/01/2021

Kanë kaluar 15 ditë që kur nisi vaksinimi i mjekëve dhe infermierëve që punojnë në spitalet covid me 975 dozat e Pfizer. Reklama qe për të pasur zili. Posteri me mbishkrimin “Shqipëria buzëqesh”, si përherë i këndshëm në kombinim ngjyrash. Në dispozicion u vu i gjithë stadiumi Air Albania. Vetë Rama, kur u shpua, nuk e ngriti mëngën e këmishës në njërin krah, por u zbërthye i gjithi, në një foto që bëri xhiron gjithandej në internet. Mjekët epidemiologë dolën me radhë nëpër ekrane për të qetësuar skeptikët mbi efektet anësore të vaksinës.

Dy javë më vonë, farsa ka ngecur në vend. Deri tani, numërohen rreth 500 mjekë dhe infermierë të vaksinuar. Nuk ka furnizim të ri vaksinash. Dozat janë ato që erdhën surprizë në fillim të këtij muaji, bashkë me shprehjen se “këto i keni se keni kryeministër Edi Ramën”

Meqenëse vaksinat ishin shumë pak, vetëm 750 doza, rezulton se procesi po zvarritet me qëllim, sa për të mbajtur gjallë idenë se lufta ndaj covid vazhdon, njësoj si në të gjithë botën. Nga një llogaritje e thjeshtë rezulton se në një ditë kryhen shumë pak injektime.

Kjo zvarritje në aplikimin e vaksinës dhe mungesa e furnizimit të vazhdueshëm tregojnë se nisja e vaksinimit ishte një farsë. Forcohen kësisoj paragjykimet dhe mosbesimi që ngjalli fillimi i procesit, i cili u konsiderua një inskenim, një truk i krijuar në emergjencë për të shfokusuar vëmëndjen e opinionit publik nga skandali i darkës tek Nusreit. Shkak për akuzat u bë video e postuar në Instagram, në profilin e restorantit luksoz në Dubai, ku ministrat dhe stafi i afërt i kryeministrit ishin duke darkuar në një prej restoranteve më të shtrenjta të botës.

Mungesa e transparencës për origjinën dhe futja e vaksinave si të ishin mall “kontrabandë” qe një tjetër shenjë që dozat e para u sollën për të shmangur vëmëndjen e opinionit publik nga skandali i radhës. Tashmë duhet të ndodhë një skandal i madh që të vijë doza tjetër e vaksinave!



Më të lexuarat