Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka hedhur akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama, sipas së cilit pushteti i tij është i lidhur ngushtë me mafian, duke iu referuar dosjes së fundit të anti-mafia italiane. Sipas Bashës, në ndryshim nga sa ka premtuar se do i shpallte luftë korrupsionit, Rama kapi sistemin e drejtësisë.
“Ju kujtohet kur Edi Rama premtoi Reformën në Drejtësi dhe i shpalli luftë korrupsionit? Krejt e kundërta ndodhi. Edi Rama e ka kapur sistemin e drejtësisë dhe deri më sot asnjë zyrtar i lartë i denoncuar nuk është dënuar. Nëse këtë nuk do e ndalim sot, Shqipëria nuk do të ketë drejtësi të pavarur. Me Ramën në pushtet, nuk do të ketë drejtësi të pavarur. Në vend që të kujdeset për njerëzit, Rama dhe marionetat e tij janë lidhur me mafian për të shtuar pasuritë e tyre, dhe çmimin e paguajnë shqiptarët. Boll më: kupa është mbushur”, shkruan Basha.
Pas kryedemokratit Lulzim Basha, edhe Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi ka akuzuar qeverinë Rama se është i lidhur me krimin. Ai shprehet se sa herë që dalin përgjime, referuar atyre për Ndrangheta-s, Rama nuk di të bëjë gjë tjetër veçse të justifikohet.
“Sa herë njerëzit e tij kapen në përgjime në pazar me trafikantët e drogës, duke blerë vota me krimin e organizuar apo duke shitur tendera, koncesione dhe leje ndërtimi, Edi Rama vetëm justifikohet. Ai kurrë nuk di asgjë, gjithmonë sillet sikur i bien në qafë të tjerët.
Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës dhe janë lodhur duke dëgjuar Ramën dhe justifikimet e tij. Ata e dinë se kjo është qeveria më e keqe dhe më e korruptuar në historinë e Shqipërisë.
Askush nuk e beson më Edi Ramën. Në 25 Prill shqiptarët do t’i tregojnë vendin kësaj qeverie dhe do të votojnë për ndryshimin”, shkruan Bardhi.