Prapaskena

Zbulohet lidhja e kandidatit të Bashës me politikanin e kapur në përgjimet e Ndragheta-s

Publikuar: 25/01/2021

Një nga kandidatët e Lulzim Bashës për zgjedhjet e 25 prillit rezulton të ketë lidhje me një nga emrat e përfshirë në grupin mafioz italian “Ndrangheta”. Bëhet fjalë për aleatin e Bashës, Nard Ndoka, i cili në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jetë në listat e kandidatëve të PD-së, pas marrëveshjes së arritur me kreun demokrat.

Ndoka dhe politikani Italian, Lorenzo Cesa, i cili ka rezultuar në përgjimet e antimafias italiane si i lidhur me grupin mafioz italian “Ndrangheta”, kanë një miqësi të hershme me njëri-tjetrin, e cila daton disa vite më parë.

Një fakt i tillë konfirmohet edhe nga një kërkim në rrjetet sociale të Nard Ndokës, gjendet edhe një foto nga një takim mjaft i përzemërt mes tij dhe Lorenzo Cesës, që mban datën 27 maj 2014.

Miqësinë me politikanin italian të lidhur me “Ndranghetën” e pohon edhe vetë Ndoka teksa shkruan në foton e publikuar: “Uroj mikun tim Lorenzo Cesa për fitoren si eurodeputet, aktualisht sekretar i përgjithshëm i Unionit Demokristian Italian UDC”, shkruan Ndoka.

Ditën e sotme, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla deklaroi në një komunikim për mediat se një politikan i djathtë është i lidhur me grupin mafioz italian “Ndrangheta”. Mbetet për t’u parë nëse Balla i referohej Nard Ndokës apo edhe për ndonjë politikan tjetër të Partisë Demokratike, të lidhur ngushtë me Lorenzo Cesën.



Më të lexuarat