Prapaskena

Shtimi i rasteve me Covid tek të rinjtë, mjeku shpjegon se çfarë po ndodh

Publikuar: 25/01/2021

Artan Simaku, mjak infeksionist në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP), tregoi në një lidhje me “Ditari” në A2 se pse po vërehet një rritje e numrit të rasteve me Covid-19, sidomos te moshat e reja.

Sipas tij, “ishte parashikuar rritja e numrit të rasteve në janar, për shkak të festave të fundvitit”.

“Ka pasur grumbullime dhe nuk janë respektuar masat në atë periudhë. Është vërejtur rritje rastesh në grupmoshat e reja, të cilët e kalojnë lehtë sëmundjen, por kanë transmetueshmëri të madhe tek të tjerët.

Çelësi i ndalimit të përhapjes së koronavirusit është respektimi i masave, por unë kam vërejtur se këto masa nuk po respektohen nga qytetarët dhe bizneset”, u shpreh mjeku.

Edhe pse ka rritje rastesh, Simaku thekson se “nuk jemi në situatën për të marrë masa të tjera shtrënguese, por, siç kemi thënë, kriteri i marrjes së masave të tjera është numri i personave të shtruar në spital. Aktualisht, jemi në gjysmën e kapaciteteve spitalore”.

Në lidhje me procesin e vaksinimit, mjeku infeksionist nënvizoi se Shqipëria ka bërë më të mirën e mundshme.

“Po bëjmë më të mirën e mundshme në lidhje me vaksinimin. Kemi qenë ndër shtetet e para që kemi nënshkruar kontratën me Covax. Gjithashtu, janë firmosur kontrata me Pfizer dhe procedurat tani nuk varen më nga Shqipëria”, deklaroi Simaku.



Më të lexuarat