Një 37-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Dejvi G., është ekstraduar në Holandë pasi u prangos në Greqi. Shqiptari, i cili akuzohej si pjesë e një organizate ndërkombëtare të drogës, me qendër në Beek, u prangos në shtetin helen më 17 dhjetor.
Në qendër të trafikut të drogës ishte një kompani makinash me qendër në Beek të Holandës, “Alba Car”, në pronësinë e të cilës ishte dhe një mjet tip “Ferrari”. Sipas “Limburg“, përveç 37-vjeçarit, të prangosur janë edhe gjashtë persona të tjerë, të cilët gjithashtu akuzohen për pjesëmarrje në organizatë kriminale. Por Dejvi G. 37-vjeçari shqiptar shihet nga drejtësia si personi më i rëndësishëm i organizatës.
Të dyshuarit e tjerë si anëtarë të grupit u arrestuan në Spanjë, në zonën e Barcelonës dhe pritet të ndiqen penalisht atje. Gjatë hetimit, policia spanjolle gjeti një total prej 13,000 bimësh kërpi.
Policia kishte vendosur pajisje përgjimi te kompania dhe ka arritur të zbardhë biseda se si zhvillohej trafiku i drogës, ku 37-vjeçarit, i drejtoheshin me nofkën “Tony G.”. Ky i fundit kishte si krah të djathtë kunatin e tij, Ervis V., 35 vjeç, gjithashtu i prangosur nga policia holandeze.
Organizata thuhet se kishte lidhje ndërkombëtare, kryesisht në Spanjë dhe Shqipëri dhe komunikonin me njëri-tjetrin me EncroChat, por pasi ky aplikacion “u thye” nga autoritetet, grupi u zbulua.