Prapaskena

Shifrat dramatike, 12 viktima nga aksidentet rrugore brenda dy javësh!

Publikuar: 17/01/2021

Kanë qenë fatale 2 javët e para të 2021 në rrugët e vendit. 12 persona kanë humbur jetën nga aksidente rrugore.

Shpejtësia, parakalimet e gabuara dhe alkooli, mbeten shkaqet kryesore të humbjes së jetës në këto aksidente.

Vetëm në datë 3 Janar nga 4 aksidente të ndryshme kanë humbur jetën 4 qytetarë në Përmet, Lezhë, Vlorë dhe Elbasan. Më i rëndi ishte edhe aksidenti në Rrugën e Kombit, ku u shua familja Avdijaj nga Kosova. Edhe në këtë rast ishte një parakalim i gabuar dhe shpejtësia e lartë që shkaktoi përplasjen mes automjetit të tyre me një kamion.

Gjithashtu të larta mbeten edhe shifrat e të plagosurve nga aksidentet. Më shumë se 40 persona janë lënduar nga përplasjet e makinave. Në ditët e para të këtij viti, aksidente të rënda janë shënuar edhe në kryeqytet.

Pak ditë më parë 2 aksidente tronditën opinionin duke bërë që një kalimtar të humbte këmbët nga goditja e një automjeti. Drejtuesit u arrestuan për shkelje të sinjalistikës dhe rregullave të qarkullimit.

Teksa jemi në ditët e para të vitit 2021, janë rreth 140 aksidente në të gjithë vendin. Edhe viti që lamë pas shënoi një bilanc lufte sa u përket aksidenteve. Në 2020 humbën jetën 159 persona, nga më shumë se 6200 aksidente të ndodhura, ndërsa 850 të tjerë mbetën të plagosur.



Më të lexuarat