Prapaskena

Krisen marrëdhëniet me Francën, ja çfarë tha Rama për vaksinën që nxiti protestën e Francës

Publikuar: 17/01/2021

Marrëdhëniet e mira me Parisin nuk mund të jenë zgjatim i përjetshëm i atleteve Adidas dhuratë për Emanyel Makronin.

Presidenti Francez e nxori një vit e ca më parë bllof Ramën kur pohoi se nuk ishte faji i vendit të tij që nuk u hapën negociatat për Shqipërinë, por këtë nuk e donin gati gjysma e shteteve anëtare. Këtë herë përgjigjja ka ardhur nga selia diplomatike në Tiranë.

Ambasada franceze ka reaguar më një notë të ashpër proteste ndaj deklaratave të kryeministrit Rama në emisionin “Open” të së enjtes, ku shefi i qeverisë akuzoi Bashkimin Europian për egoizmin e treguar në mosdhënien e vaksinave për shtetet e ballkanit perendimor. “Nuk është e përshtatshme të sulmosh në këtë mënyrë nominative një vend mik dhe aleat”, thuhej në letrën e protestës dërguar Ministrisë sonë të Jashtme ku gjithashtu hidheshin poshtë edhe pretendimet e kryeministrit se qeveria franceze ka një sasi vaksinash që nuk i përdor dot, e megjithatë nuk i jep vendeve që kanë nevojë.

Po si lindi kjo polemikë, që fillimisht nxiti përplasjen me ambasadorin e BE në Tiranë Soreca dhe më pas, atë të ambasadës franceze.

Sulmet e Ramës ndaj Europës nisën që në 1 Janar, kur kryeministri shqiptar mungesën e bujarisë për vaksinat e quajti “egoizmi dhe cinizmi i frikshëm në kontinentin ku jetojmë”. Që në ditën e parë të vitit, Edi Rama foli për një hendek, që u hap mu në mes të Europës, nga “vendimmarrja absurde, e papranueshme moralisht, e pakuptueshme politikisht dhe e pajustifikueshme edhe logjikisht e Bashkimit Europian”.

Pra duhet parë me kujdes deklarata ku të rëndësishme janë nuancat. Aty, Rama i ra BE dhe si kundërpërgjigje ia ktheu ambasadori Soreca.

Ai u shpreh i habitur nga deklarata e kryeministrit dhe përmendi se BE i ka akorduar Shqipërisë 115 milionë euro për tërmetin, se ka ndarë 70 milionë euro për vaksinimin e vendeve të Ballkanit perëndimor, por nguli gjithashtu edhe një kunjë, duke pohuar se Shqipëria nuk është e përgatitur dhe nuk ka një plan për fushatën e vaksinimit.

I gjendur nën replikën e ashpër të shefit të delegacionit të BE në Tiranë, Rama e ndryshoi qëndrimin.

Të enjten në “Open” përballë gazetarëve ai e drodhi duke thënë se Soreka e kishte keqkuptuar, “pasi kritikat nuk qenë për Komisionin Europian në Bruksel të cilin ambasadori përfaqëson, por me disa vende që egoizmin dhe cinizmin e kanë kthyer në sistem brenda Këshillit Europian”.

Rama shkoi më tej duke marrë si shembull Francën, që ka vaksinuar vetëm disa mijëra qytetarë të saj, ndërkohë që ka siguruar një stok disafish më të madh, nga i cili mund t’i kishte dhënë 2 mijë apo 5 mijë vaksina vendit tonë, së paku për mjekët.

Pikërisht ky etiketim direkt i Parisit zyrtar si vend “cinik”, “arrogant” dhe aspak “solidar” në periudhë pandemie nxiti shpërthimin e ashpër të ambasadës franceze.

“Ndërsa Franca do të arrijë qëllimin e saj për një milion njerëz të vaksinuar në fund të janarit, Kryeministri ngriti pyetjen se pse Franca duhet të ketë një stok vaksinash që nuk mund t’i përdorë, në vend që t ‘i ndajë me të tjerët.

Përveç natyrës të pavërtetë të këtij informacioni, por që mund të jetë shumë i ndjeshëm për mendjet e njerëzve, kjo ambasade konsideron se nuk është e përshtatshme të sulmosh në këtë mënyrë nominative një vend mik dhe aleat”, shkruhej në reagimin francez.

Tani Ramës, s’i mbetet gjë tjetër, veçse të dali e të deklarojë se pas Sorecës, edhe ambasada franceze e ka keqkuptuar.



Më të lexuarat