Prapaskena

“Po plasim”! Rrëfimet rrëqethëse nga pavioni Covid, pacientët tregojnë tmerrin mes jetës e vdekjes

Publikuar: 16/01/2021

Në një dhomë private ngjitur me derën e mbyllur të reanimacionit, Dilip Sharan rri ulur mbi një krevat, me një pjatë me supë para. Vërtit lugën përreth tubit të frymëmarrjes që e mban gjallë, teksa sa herë mbush gojën, dhoma mbushet me një simfoni të pasinkronizuar tingujsh, që vijnë nga monitorë të ndryshëm, të cilët shfaqin të dhënat e organeve të tij jetësore. Eshtë dita e pestë në sallonin e shansit të fundit të kujdesit mjekësor ndaj Covid-it. Mezi mbushet me frymë dhe mezi flet.

Sharan, 53 vjeç është tej mase i ri për të qenë kaq i sëmurë prej koronavirusit. Por ai nuk është aspak një anomali në reanimacionin e spitalit universitar “Milton Keynes”, ku koha e drekës kalon pothuaj pa u vënë re, nga pacientët që ushqehen përmes tubave.

Kjo njësi aktualisht nuk ka askënd mbi 70 vjeç dhe javën që kaloi u kujdes për një grua shtatzënë 36-vjeçare, binjakët e të cilës u desh të lindnin para kohe me ndërhyrje kirurgjikale, ndërkohë që nëna ishte në gjendje kome. Ajo ishte e punësuar në një palestër dhe stërvitej rregulllisht, deri kur skaneri tregoi se kishte dy bebe në bark, dhe jo një.

Kjo panoramë dëshpëruese përsëritet në spitalet e të gjithë Mbretërisë së Bashkuar, teksa vala e dytë mbështjell Shërbimin Kombëtar Shëndetësor (NHS), i cili mund të tejmbushet brenda disa javësh. Këtu, tronditja kur sheh kaq shumë njerëz që kanë nevojë për trajtim, shoqërohet nga befasia që të shkakton mosha e tyre – ka një ndjesi, që e ndajnë shumë mjekë, se njerëz më të rinj në moshë dhe më të shëndetshëm po përfundojnë në spital, me Covid.

Megjithatë, të dhënat zyrtare e mbështesin këtë deri në një farë mase. Personat e moshës nën 65 vjeç zinin 39% të pranimeve në spitale në fillim të këtij muaji, krahasuar me 36% që ishin në fund të marsit, sipas të dhënave nga NHS. Ndërkohë që, të rinjtë nuk po vdesin në numra më të mëdhenj. Sot, ata nën 65 vjeç zënë 8.8% të vdekjeve, një rënie nga 10% që ishte në muajin prill të vitit që kaloi.

Sërish, disa ngrejnë pyetjen, se mos vënia e theksit tek mbrojtja e më të moshuarve dhe të dobtëve, u dha një ndjenjë të rreme sigurie të tjerëve. Qeveria u tha qytetarëve që të kujdeseshin “dhe të mos vrisnin gjyshen”. A do të ishim sjellë ndryshe, po të na kishin thënë të mos vdisnim mamanë ose babanë, apo edhe veten tonë?

“Nuk i zihet besë Covid-it”, thotë Daniyal Rizvi, 36 vjeçe, e cila me zor merr frymë në njësinë e kujdesit intensiv të Milton Keynes, ku qëndrojnë të sëmurët rëndë, por jo aq sa për të hyrë në respirator, ashtu sikurse dhe ata, për të cilët doktorët mendojnë se nuk do të mbijetojnë nëse futen në intubim. “Im shoq është shumë i dobët nga shëndeti. Dy vjet më parë kishte probleme të rënda me mushkëritë, dhe sot ai është shumë mirë. Ndërkohë, shikomëni mua…”.

Ajo është 13 javëshe shtatzënë dhe beson se e mori Covid-in nga njerëzit që bënin pazar Krishtlindjesh në Primark, aty ku punon. Doktorët nuk e dijnë përse më shumë gra shtatzëna po sëmuren në këtë valë, ndonëse shumëkush hedh hipotezën se ka më pak të bëjë me dobësitë mjekësore të shtatzënisë, dhe më shumë me rritjen e incidencës mbarëkombëtare.

The Guardian mori një ftesë të rrallë për të kaluar një ditë me pacientët më të sëmurë dhe stafin që po kujdeset për ta, gjatë kësaj vale të dytë brutale.
Gjatë valës së parë, shumica e pacientëve në njësinë e kujdesit intensiv merrnin qetësues dhe ishin pa ndjenja. Tani, mjekët e trajtojnë ventilimin mekanik si mjetin e fundit, teksa statistikat tregojnë që pacientët e intubuar kanë 43% shanse që të vdesin, një rënie në krahasim me 46% që i kishin shanset në valën e parë. Por tani që vala e dytë është në kulmin e saj, të dhënat janë ende duke mbërritur dhe shumë fate janë të panjohura. Dr. Joy Halliday, një prej mjekeve në njësinë e kujdesit intensiv, tha se shanset për të mbijetuar në pacientët që futen në intubim tani janë në fakt 30%.

Në 7 janar, 4 nga 9 pacientët në njësinë e kujdesit intensiv të Milton Keynes janë zgjuar, mes tyre dhe Sharan. Ai ka diabet të llojit 2, por jo të gjithë të shtruarit e tjerë në këtë pavion kanë sëmundje bashkëshoqëruese, që do të mund të përkeqësonin prognozën e tyre, thotë Dr. Jamie Strachan, një skocez i gjatë dhe i papërkulshëm, mjek në kujdesin intensiv dhe anestezi. “Ka njerëz të intubuar që po luftojnë për jetën dhe që nuk kanë sëmundje bashkëshoqëruese. Thjesht janë rëndë me koronavirus”.

Teksa u përgjigjet pyetjeve duke u përpjekur me vështirësi të marrë frymë, Sharan thotë se ndoshta e ka marrë Covid-in nga e shoqja, mësuese në një shkollë fillore. Eshtë tej mase stoik po të kesh parasysh që në peshore është vetë jeta e tij, duke thënë se shkollat mund të ishin mbyllur pak më herët, para Krishtlindjes. Megjithatë, nuk fajëson askënd dhe nuk ankohet.

Po, maska e Cpap-it që i duhet të mbajë vazhdimisht gjatë ditës është e parehatshme, pranon ai, sidomos gjatë orëve të shumta kur i duhet të rrijë përmbys, me maskën që i ngulet në fytyrë. Por, thotë, “nuk ke çfarë të bësh”.

Maska e Cpap-it është tmerrësisht klaustrofobike por në të njëjtën kohë, “ndihesh sikur nxjerr kokën nga dritarja e makinës, sepse të futet ajër njësoj sikkur të jesh duke ecur me shpejtësi 145 kilometra në orë”, thotë Strachan. Familljet lejohen në pavion vetëm për të thënë mirupafshim.

Sharan duket optimist se do ta marrë veten, shpresëplotë se remdesiviri, i cili u mor nga Donald Trumpi përpara se të miratohej prej rregullatorëve farmaceutikë vitin e kaluar, do ta kthejë shpejt në shtëpi. Por paralajmëron se nuk ka shkop magjik. “Koha dhe oksigjeni” mbeten armët kryesore në sirtarin e armëve të mjekëve të reanimacionit.

Oksigjeni është problemi i madh për 235 pacientët Covid në spital në Milton Keynes – më shumë se dyfishi i numrit në ditën më të keqe të valës së parë – si edhe për armatën e stafit që kujdeset për ta. Askush nuk ngopet me të, as mushkëritë e pacientëve as edhe tubat që furnizojnë me gazin, nga bombolat që ndodhen në një tjetër pjesë të ndërtesës.

Ditën e vizitës time, mjekët janë të shqetësuar. Furnizimi është më pak problem, se sa shpërndarja. “Oksigjeni vjen përmes tubave dhe tubat kanë një normë rrjedhjeje, kështu që tubat mund të lejojnë vetëm një sasi të caktuar oksigjeni për minutë, që mund të kalojë nëpër ta”, thotë Dr. Hamid Manji, mjek në kujdesin intensiv dhe anestezi, njëkohësisht drejtor klinik i departamentit të kirurgjisë.

“Nëse tubat nuk sjellin sasinë për minutë, në të gjithë vendet ku nevojitet, atëherë kemi një mungesë oksigjeni”.

Kaq shumë pacientë kërkojnë mbështetje 24-orëshe nga maskat Cpap, saqë doktorëve u është dashur të modifikojnë një tjetër pjesë të spitalit për pacientët më të sëmurë, duke hapur tubacione të reja drejt asaj që dikur ishte njësia e kirurgjisë.

Dy pavione të tjera Covid janë marrë prej shërbimeve të tjera të kompleksit spitalor, teksa 60% të të gjithë shtretërve dhe 10 nga 14 pavione u janë dedikuar pacientëve Covid.

“Jemi në limit në këtë spital dhe unë mendoj se 4-6 javët e ardhshme do të jetë edhe më keq”, thotë Halliday, një kokëkuqe irlandeze. “Të gjithë këta që shohim këtu janë njerëz që ishin sëmurë qysh ditën e Krishtlindjes. Janë në ditën e 10 apo 12 të sëmundjes”. Spitali pret një shtim të pacientëve, si rezultat i takimeve dhe grumbullimeve gjatë Krishtlindjes.

Gjatë vizitës së The Guardian, Halliday është në krye të pavionit 15, një njësi respiratorësh për të sëmurët rëndë. Eshtë një hap përpara se sa intubimi, por pacientë po vdesin aty përditë, në disa raste persona në të 30-at ose 40-at. “Këtë herë, njerëzit janë të tmerruar nga intubimi”, thotë ajo. “Askush nuk dëshiron të futet sepse mendojnë që është dënim me vdekje. Ata mendojnë se herën e kaluar ishte keq – këtë herë është keq e më keq. Kështu që, shumë njerëz thonë “mos më fut në respirator”, edhe pse e dinë që nuk kanë mundësi tjetër”.

Të vendosësh se çfarë trajtimi do të marrë gjithësecili është shumë e vështirë, thotë ajo. I gjithë stafi ka “lodhje prej vendim-marrjes”.

Të gjithë në spital janë të dëshpëruar prej atyre që mohojnë Covid-in. Darren Gregory, 53 vjeç, menaxher projekti për një kompani ndërtimi që po përpiqet të kalojë ditën e parë pa maskë Cpap-i që kur u shtrua pesë ditë më herët, thotë se ka shkruajtur në Facebook për të paralajmëruar të tjerët: “E dini, zakonisht nuk postoj në Facebook, por këtë herë shkruajta: kjo është e vërtetë. E dini, unë nuk sëmurem asnjëherë, Por që ta marr edhe unë këtë sëmundje…”.

Ai duket i shastisur që ka përfunduar në spital. Në prag të Krishtlindjes bënte 8 kilometra katër herë në javë. “Ishte një zotëri shumë i shëndetshëm”, thotë Halliday. Përditë ka parë pacientë përreth tij që ndërrojnë jetë. “I sheh që vijnë, dhe ata nuk janë shumë ndryshe nga gjendja jote. Pastaj, zgjohesh në mëngjes dhe vëren se sa të ngrirë e të pajetë janë”.

Pacientët me Covid mund të përkeqësohen shpejt dhe doktorët nuk munden të parashikojnë gjithmonë se cilëve do u ndodhë kjo: një pacient në Cpap, në fillim të të gjashtëdhjetave, ishte aq mirë sa mundi edhe të flasë për The Guardian, dhe vetëm pak orë më vonë u fut në intubim.

Stafi po lufton me sasinë e vdekjeve me të cilën përballet, thotë Halliday. “Kemi patur tashmë infermiere të reanimacionit që janë larguar, për shkak se nuk përballojnë faktin që në çdo turn, dikush vdes. Dhe është e lodhshme. Si doktorë, ne jemi relativisht të privilegjuar, për shkak se mund të largohemi pas pak orësh dhe të kthehemi më vonë: infermieret janë këtu, tek koka e krevatit gjatë gjithë turnit. Eshtë shumë, shumë e vështirë”.

Ajo thotë se disa herë pothuaj i ka rënë të fikët, pasi nuk ka patur kohë të hajë apo pijë gjatë një turni. Kur Strachan na shoqëron nëpër reanimacion është ora 11.30 e mëngjesit, dhe ka qenë në turn që në orën 5.

Anna Hunt, një prej infermierëve të reanimacionit, punonte në Londër kur ndodhi sulmi terrorist i 7 korrikut. Ajo që e bën Covid kaq të vështirë është pandalshmëria, thotë ajo. Me sulmet në Londër “ishte shumë intensive, por ishte për pak kohë. Dhe mund të vinin përforcime nga jashtë. Kjo është krejt ndryshe, është ajo situatë po në një shkallë krejt tjetër, pasi nuk ndalet pas një jave apo një muaji, thjesht vazhdon”. “Ekipet janë fantastike”, thotë ajo, “por O Zot sa e lodhshme është!”

Në kohë normale, infermieret e kujdesit intensiv i njohin pacientët e tyre duke folur me të afërmit, tek koka e shtratit. “Ne krijojmë një raport me ta dhe ata sjellin fotografi, por kësaj here këtë nuk e bëjmë dot, që do të thotë se është e vështirë të ndërtosh një marrëdhënie me një pacient me sedativë”, thotë hunt.
Infermieret bëjnë më të mirën, por familjet kanë vështirësi të mësojnë se çfarë ndodh brenda, përmes raporteve nga njësia. Shumë familje janë të shqetësuara dhe ndonjëherë shfaqen në pavion, duke kërkuar që të hyjnë brenda.

Të gjithë pjesëtarët e stafit janë nervozë për atë që pritet në javët e ardhshme. “Siqnerisht nuk e di çfarë do të bëjmë. Që tani po plasim”, thotë Halliday.
“Dje transferuam dikë në një tjetër spital, sepse nuk kishim shtretër në kujdesin intensiv dhe kjo po ndodh kudo. Por do të vijë një kohë kur nuk do të ketë më shtretër në gjithë vendin, dhe do të na duhet ta zgjidhim vetë”. (Helen Pidd, The Guardian – Në shqip nga Bota.al)



Më të lexuarat