Prapaskena

Vendimi i BSH u jep kohë huamarrësve dhe “shtyn” rritjen e kredive me probleme

Publikuar: 15/01/2021

Banka e Shqipërisë vendosi të mërkurën të shtyjë deri në datë 31 mars masat e përkohshme që iu lejojnë bankave të mos riklasifikojnë si të këqija kreditë e ristrukturuara.

Një masë e tillë ishte kërkuar zyrtarisht nga Shoqata Shqiptare e Bankave, me qëllim zgjatjen e mbështetjes përmes ristrukturimeve të atyre kredimarrësve të prekur nga pasojat e krizës pandemike. Një masë e tillë lidhet kryesisht me kreditë e bizneseve, që në disa sektorë, kryesisht të lidhura me turizmin dhe transportin, kanë vuajtur pasoja serioze nga kriza.

Vendimi i Bankës së Shqipërisë i lejon bankat të vijojnë ristrukturimet pa i klasifikuar këto detyrime si kredi të këqija. Një veprim të ngjashëm me atë të Bankës së Shqipërisë kanë ndërmarrë edhe autoritetet homologe të vendeve të tjera europiane.

Bankat prisnin një rritje graduale të raportit të kredive me probleme duke nisur nga fillimi i këtij viti, për shkak të përfundimit të masave të përkohshme rregullatore. Por, shtyrja e këtyre masave e zhvendos më tej në kohë një rritje të pritshme të kurbës së kredive me probleme.

Në fakt, qëllimi i kësaj mase nuk është thjesht të shtyjë një rritje të paevitueshme të kredive me probleme, por kryesisht t’iu japë më shumë kohë kredimarrësve për t’u rimëkëmbur dhe për të paguar me korrektësi detyrimet e tyre. Një nivel më i ulët i kredive me probleme është gjithashtu shumë i rëndësishëm për vijueshmërinë e kreditimit të ekonomisë.

Rritja e treguesit të kredive me probleme me shumë mundësi do ta shtrëngonte ofertën për kredi në treg, duke ndikuar negativisht rimëkëmbjen e ekonomisë nga kriza. Kreditimi në gjysmën e dytë të vitit 2020 ka ecur me ritme të mira dhe rritja vjetore e portofolit, deri në nëntor, ishte pranë kufirit të 5%.

Në të njëjtën periudhë, raporti i kredive me probleme ishte në nivelin 8.2%. Ky raport nuk ka ndryshuar shumë që nga muaji mars, kur Banka e Shqipërisë miratoi masat që mundësonin shtyrjen e kësteve të kredive bankare. Pas vendimmarrjes së djeshme, nuk priten rritje dramatike të këtij treguesi as për muajt në vijim. Përkundrazi, në fund të muajit dhjetor bankat zakonisht zbatojnë detyrimet përkatëse rregullatore për të fshirë nga bilancet kreditë e humbura.

Kjo mund të sjellë një ulje të mëtejshme të raportit të kredive me probleme në statistikat e fundit të vitit kalendarik 2020, siç ka ndodhur në të njëjtën periudhë të viteve të mëparshme. Që prej vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë e ka shkurtuar afatin e fshirjes së kredive që klasifikohen të humbura në dy vjet, nga tre vjet që parashikonte rregullorja e mëparshme.



Më të lexuarat