Erion Isufi, kunati i kreut të Partisë Demokratke Lulzim Basha, ka paditur ditën e sotme për shpifje kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj.
Padia e tij është depozituar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin dhe Organizuar.
Isufi ka kërkuar që Veliaj të shpallet fajtor për akuzat që kryebashkiaku ka bërë, pasi ky i fundit ka thënë se kunati i Bashës zotëronte 4 vila dhe i kishte përfituar ato gjatë periudhës së pandemisë.
Në padi thuhet se Veliaj i ka bërë këto deklarata në 14 janar 2021 gjatë takimeve elektorale në kryeqytet, ndërsa sipas Isufit, këto akuza janë me qëllim që të dëmtojë politikisht kryedemokratin Lulzim Basha.
“Kunati i Lulit kishte aplikuar në Bashkinë e Tiranës për vilën e pestë – një pafytyrësi! Ti jep njëherë një kuti me ndihma ushqimore apo një kontejneri për familjet e tërmetit. U thashë ta harrojnë lejen për vilën e pestë! Mirë që i shtojnë vilat në vit pandemie, por aplikojnë edhe për një tjetër. Lejen për vilën e pestë do ta marrin vetëm kur të falin një nga katër vilat e tjera. Flasin për varfëri dhe aplikojnë për vila, pafytyrësi”, citon Isufi si fjalë të Erion Veliaj gjatë takimit elektoral në padinë e tij.