Kryeministri Edi Rama ka komentuar sot rastin e denoncuar nga emisioni “Stop” në Tv Klan. Nga një vizitë që ka pasur në qendrën shëndetësore Nr.1 në Tiranë, Rama tha se është shumë i keqardhur nga skandali i denoncuar dhe shtoi se ajo ngjarje cenon imazhin dhe krijon idenë se korrupsioni dhe sjellja e sanitares është pjesë e punës së mjekëve dhe infermierëve.
Më tej ai shtoi se e vetmja që i kishte pëlqyer ishte puna e gazetarëve, të cilët kishin shkuar shumë thellë në investigim, por nuk kishte rezultuar që sanitarja të ishte e lidhur me mjekë apo infermier në spital.
“Unë jam mirënjohës për të gjithë mjekët dhe infermierët, më shumë për ata që punojnë në kushte në të cilat punonit ju para pak kohësh. Patjetër në këtë situatë kaq të ngatërruar, jam shumë i keqardhur për atë historinë e asaj sanitares, që faktikisht cenon imazhin, reputacionin edhe punën e mjekëve dhe infermierëve. Dhe krijon perceptimin që kjo është një mënyrë të punuar, apo pjesë e sistemit të punës. Realisht e vetmja gjë që më ka pëlqyer apo më ka ngrohur në atë ngjarje ka qenë puna e gazetarëve investigativ. Kanë nxjerr në pah një llum dhe njëkohësisht nuk kanë provuar, nuk ka rezultuar se ajo sanitare nuk ka qenë e lidhur me mjekë apo të ishte një zinxhir me punonjës të tjerë”, tha Rama.
Më tej kreu i qeverisë e quajti sanitaren një fundërrinë dhe tha se ajo nuk e zhbën dot punën e gjithë bluzave të bardha.
“Patjetër që kur nuk ka pyll pa derra, nuk ka asnjë sistem që të mos ketë fundërrina të tilla. Por kjo nuk e zhbën kurrë punën e mjekëve dhe infermierëve”, vijoi kreu i qeverisë.
Historia e sanitares Tire Alldervishi u publikua të martën në mbrëmje në emisionin “Stop” në Tv Klan, ku u publikuan komunikimet mes vajzës të së ndjerës dhe punonjëses së spitalit “Shefqet Ndroqi” që tregonin qartë abuzimin me detyrën në spital dhe pazarin me jetën e pacientes.
Sanitarja i ka marrë të paktën 8 milionë Lekë, vazjës së pacientes e cila pretendon se ajo i ndante me infermierët dhe mjekët, për t’i bërë një shërbim më të mirë nënës së saj. Edhe pse vajza pagoi miliona Lekë për nënën e saj në fund ajo vdiq.
Nëna e denoncueses ishte ankuar, se Tirja i kishte hequr bukën, ujin dhe nuk e kishte ndërruar, për shkak se të gjitha nevojat personale, ajo detyrohej t’i kryente në krevat.
Pas publikimit të skandalit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale lëshoi një deklaratë, ku dënoi me forcë veprimin e paligjshëm dhe korruptiv, të sanitares së spitalit “Shefqet Ndroqi”. Gjatë ditës së mërkurë ka reaguar edhe vetë Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, duke shkarkuar sanitaren dhe dënuar aktin e saj.
Tashmë Tire Alldervishi është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës