Prapaskena

Njihuni me historinë e ish-mafiozit të Ndranghetas, një jetë plot tmerre…

Publikuar: 14/01/2021

Drejtësia italiane po planifikon një goditje të madhe kundër Ndranghetas me një proces të madh gjyqësor. Ai merr mbështetje nga një ish-mafioz: Luigi Bonaventura lufton kundër pushtetit të klaneve.

49-vjeçari nuk dëshiron të thotë se nga po vjen. Vetëm kaq, se ishte në tren për disa orë. Tani ai është ulur në një restorant bosh në qendër të Bolonjës.

Askush nuk duhet ta dijë se ku banon zakonisht Luigi Bonaventura. Njeriu që e la familjen e tij kriminale 13 vjet më parë dhe ka hedhur që atëherë qindra mafiozë në burg bën jetë të rrezikshme. Ai është nervoz dhe tensioni zbret ngadalë prej tij. Ai thotë se është i rraskapitur nga udhëtimi. Bonaventura gulçon dhe zgjat dorën drejt shishes së ujit. Po kur e ka mbledhur veten fillon të flasë, e ka të vështirë të ndalet. Një jetë plot me tmerr që nuk e lë të qetë as natën në ëndërr. “Të nesërmen në mëngjes zgjohem dhe i them vetes: duhet të luftoj dhe të bëhem më mirë”.

Fillimi i procesit të madh gjyqësor kundër Ndranghetas, mafias kalabreze të cilës Luigi Bonaventura i përkiste për më shumë se gjysmën e jetës së tij, ka të ngjarë të jetë gjithashtu vendimtar për luftën e tij. Në Lamezia Terme, një qytet në rajonin jugor italian të Kalabrisë, në dy vitet e ardhshme do të dalin para drejtësisë qindra të akuzuar. Në ta bëjnë pjesë avokatë, politikanë dhe njerëz të biznesit. Mafiozë dhe bashkëpunëtorë të tyre. Bonaventure njeh shumë prej tyre nga e kaluara e tij dhe do të dalë vetë dëshmitar.

Organizata të ndërthurrura globalisht

Ndrangheta konsiderohet të jetë veçanërisht e rrezikshme dhe e vështirë për t’u monitoruar. Ka një arsye për këtë, shpjegon ish-mafiozi. Anëtarët mund të lëvizin lirshëm në hije, kjo është arsyeja pse ata janë kaq të vështirë për t’u ndaluar.

Ndrangheta duhet të kuptohet më pak si një organizatë, por shumë më tepër si një një rrjet i lirshëm i klaneve familjare individuale, që veprojnë me dhe kundër njëri-tjetrit, të cilët jetojnë sipas rregullave të tyre shoqërore. Biznesi i tyre shtrihet përtej kufijve të rajonit të Kalabrisë.

Në të kaluarën, ata fitonin para me rrëmbime, ndër të tjera, sot qasja e tyre është më pak e dukshme. Në veriun më të fortë ekonomikisht të Italisë, Ndrangheta fiton shumë para me porosi qeveritare, veçanërisht në industrinë e ndërtimit. Por Ndrangheta është gjithashtu e lidhur mirë ndërkombëtarisht. Për shembull, ajo përcjell kontrabandë pjesën më të madhe të kokainës nga Amerika Latine për tregun evropian. Disa nga anëtarët që gjykohen tani në Kalabri janë arrestuar në Gjermani.

Fëmijët edukohen si ushtarë

Rruga e jetës së Bonaventura dukej e përcaktuar që nga fillimi. Ai që lind në një familje Ndrangheta pritet të vazhdojë traditën. Gjyshi i tij Luigi Vrenna ishte një nga bosët më të rëndësishëm të kohës së tij dhe vetë babai i Bonaventuras e bëri atë “ushtar”, siç thotë ai. Që fëmijë, ai mësoi se si të shtinte me armë, si të duronte dhimbjen dhe si të vriste kafshë për t’u mësuar me dhunën. Armët zëvendësuan lodrat për të. “Ti nuk ke fëmijëri”.

Kur ishte i ri, familja e dërgoi atë në pjesë të tjera të Italisë për të mësuar zakonet lokale dhe për të kuptuar dialektet lokale. Ai ishte nga ata që “rrinë në gjumë”, siç thotë ai, siç i njohim sot nga milicia terroriste IS.

Në vitet 1990 familja e thirri përsëri. Në Kalabri kishte shpërthyer një luftë midis klaneve të Ndranghetas. Ushtari Luigi Bonaventura u bë aktiv – si shantazhues, kontrabandues droge dhe vrasës. Bonaventure flet hapur për këtë kohë, por rrethanat janë të rëndësishme për të. Ai betohet se nuk ka vrarë kurrë të pafajshëm. Ishte luftë. Në një rast specifik, tregon ai, ai mori hak ndaj një anëtari të klanit armik për vrasjen e një fëmije nga familja e tij.

Janë, ndër të tjera, këto lidhje të forta familjare që e bëjnë kaq të vështirë luftën kundër Ndranghetës. Pak guxojnë të shkëputen dhe të dalin kundër familjes së tyre. Por 13 vjet më parë, pas lindjes së fëmijës së tij të dytë, Bonaventura vendosi të ndërmarrë këtë hap, i mbështetur nga gruaja e tij. Që nga ajo kohë, ai ka ndihmuar gjyqësorin të dënojë qindra kriminelë të Ndranghetas. Ai ka kryer dhjetë vjet burg për veprimet e tij. Pas kësaj ai e bëri punën sqaruese për Ndranghetën qëllimin e tij kryesor në jetë.

Ai dhe gruaja e tij themeluan një shoqatë që mbron informatorët. Ai dëshiron të inkurajojë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë dhe dëshiron që shteti të kujdeset më mirë për njerëzit që shkëputen nga mafia.

Brezi i tij i Ndranghetas në pjesën më të madhe është plakur. Sot bosët e mafies nuk i trajnojnë më fëmijët si vrasës, por investojnë në arsim. “Ata supozohet se do të shndërrohen në kriminelë ekonomikë – bankierë dhe avokatë”, thotë Bonaventura. Ai shpreson që procesi të ndihmojë gjithashtu për të zbuluar këto struktura: “Kam humbur ëndrrat dhe energjinë time, sepse nuk besoja në një fund të Ndranghetas. Por me këtë proces dhe me punën e prokurorëve, ndoshta diçka mund të ndryshojë. “/DW



Më të lexuarat