Shqipëria vijon nën kontrollin e bandave mafioze. Ylli Ibrahimi, 45-vjeçari ishte duke ecur qetësisht në rrugë në qendër të qytetit të Milotit, i shoqëruar së bashku me 2 shokë, kur 2 persona me motor vijnë me shpejtësi dhe qëllojnë me armë në drejtim të tij!
Sipas burimeve nga policia, dyshohet se Ylli Ibrahimi është krahu i djathtë i Ervis Martinajt. Ndaj edhe atentati i djeshëm ndaj tij në Milot dyshohet të jetë në vazhdën e dy ngjarjeve të tjera kriminale të ndodhura më herët, e para e vrasjes së Santiago Malkos, e dyta e Bujar Likës në 30 maj.
Siç shihet, autorët të maskuar me skafandër dhe kapuçin e xhupit kanë qëlluar disa herë me breshëri në drejtim të 45-vjeçarit, duke e lënë të plagosur.
E gjithë skena është parë nga dhjetëra kalimtarë, nisur nga fakti që ngjarja ka ndodhur mes ditës dhe në qendër të qytetit. Referuar gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes, dyshohet se arma e përdorur për ekzekutimin e 45-vjeçarit është ‘Scorpions’.
Plumbat e kanë prekur në gjymtyrët e poshtme, duke i shkaktuar dëmtime të shumta.
Ai i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe pas përmirësimit të gjendjet shëndetësore prite të merret në pyetje nga hetuesit, pasi dëshmia e tij shihet si një provë mjaft e rëndësishme për të hedhur dritë rreth ngjarjes.
Policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje disa persona në lidhje me ngjarjen, por dëshmia e tyre nuk e ka orientuar grupin hetimor drejt një pistë konkrete hetimi.