Prapaskena

Korrupsioni në spitalet covid/ A e rrëzoi Tirja e Sanatoriumit mitin e “heronjve të pandemisë”?

Publikuar: 14/01/2021

Ka një moment në investigimin rrëqethës të publikuar në emisionin Stop, kur pastruesja e spitalit që hiqej si infermiere, Tire Alldervishaj numëron emrat e infermierëve me të cilët kishte ndarë paratë.

Në momentin kur vajza e pacientes, që kishte paguar gati 800 mijë lekë i kërkon llogari për shërbimet ndaj nënës së saj të vdekur, Tire Alldervishaj i thotë se paratë i ka ndarë me disa infermierë dhe shprehet e habitur se si ata e kishin mohuar këtë fakt.

Ky rrëfim nga pastruesja e spitalit, që zgjat vetëm pak sekonda në video-përgjim, përmban në vetvete pikën kyçe, ku edhe u përqëndrua reagimi i autoriteteve, sapo skandali plasi në media.

Pikëpyetja që ngrihet është nëse Tire Alldervishaj rastisi të jetë një marifetçie që mashtroi një vajzë në hall për nënën e saj, apo është vetëm një hallkë e korrupsionit të ngritur në sistem, që funksionon që prej nisjes së pandemisë në spitalet covid?

Këtu janë fokusuar edhe hetimet e prokurorisë. Organi i akuzës thotë se do të hetojë pikërisht këtë: “për të qartësuar nëse ndodhemi para një rasti sporadik apo para një skeme të mirëfilltë përfitimi nga personeli mjekësor apo ndihmës në kurriz të të sëmurëve me sëmundjen COVID-19”

Manastirliu nxitoi ta quajë skandalin një “rast të izoluar”, ndërsa kryeministri Rama tha se “Doktorët dhe infermierët tanë janë heronj dhe ata që mund të kërkojnë para nuk i mohoj, por janë një pakicë, kurrsesi jo shumica!”

Kryeministri ka përsëritur një cilësim, që prej fillimit të pandemisë është përdorur me qindra herë nga politika, atë të mjekëve “heronj“. Për muaj me radhë “Heronjtë” ka qenë diçitura e dhjetëra fotove në rrjetet sociale dhe po aq videove patetike, për të skalitur mitin e bluzave të bardha, si autoriteti i padiskutueshëm i menaxhimit të pandemisë, por që shpesh janë përdorur në mënyrën më të keqe nga politika.

Rasti më i fundit është ai kur mjekë dhe specialistë vendosën të rreshtohen njëri pas tjetrit para kamerave për të pranuar t’u injektohej në trup një vaksinë e pacertifikuar nga asnjë institucion shqiptar dhe për të cilën nuk kishin asnjë informacion, se ku ishte prodhuar, në çfarë kushtesh ishte ruajtur apo se çfarë efektesh anësore do të kishte.

Janë po të njëjtët mjekë që kanë pranuar të përdoren si figurantë në videot publicitare të ERTV, t’i përgjigjen pretendimeve të opozitës për manipulimin e shifrave të vdekjeve nga ministria apo të heshtin, kur iu kanë munguar mjetet mbrojtëse në spitalet covid dhe kur ishte në diskutim vetë shëndeti i tyre.

Në fakt, ajo që ndodhi menjëherë pas investigimit të emisionit Stop të bën të mendosh se korrupsioni në spitalet Covid shkon përtej Tire Alldervishajt. Kur gazetarët shkuan të nesërmen në dyert e Sanatoriumit, një tjetër qytetar konfirmoi se kishte paguar miliona lekë që mjekët dhe infermierët të kujdeseshin për të afërmin e tij. Shifra është e tmerrshme. Për 3 ditë, 3 milion lekë të paguara.

“E vërteta është shumë e dhimbshme. Paguhen milion këtu, e njeriu vdes. Nuk i kërkon kush, por jemi të detyruar ne që të bëhet puna, duke ia nisur nga dera deri atje lart. Kam dhënë 10 milion lekë. Ua japim të gjithëve, të gjithë marrin lekë. Kam një njeri timin, ka 3 ditë, për 3 ditë kam paguar 10 mln lekë deri këtu ka shkuar puna. Unë ka frikë se do më kërkoni pare ju (i drejtohet gazetarëve)”, tha personi para kamerave të televizioneve, ndërsa rregullonte maskën për t’u siguruar që kjo do t’ia fshihte mirë fytyrën.



Më të lexuarat