U bënë 3- 4 vjet që ka paguar shtëpinë e re. Jeton në shtëpi me qera, paguan kredinë për shtëpinë e re dhe nuk hyn dot në apartament.
B. M. nuk do të identifikohet, është një nga banorët e mbetur pa shtëpi për shkak të konfliktit në pallatin e rrugës Ndre Mjeda, mes dy ish-ortakëve Sino Llanaj dhe Albert Allmuça.
Me dy fëmijë, në pritje të zgjidhjes së konfliktit, tregon për shpenzimet dyfishe që prej vitesh është i detyruar të paguajë.
Nxjerr çelësat e shtëpisë së re nga xhepi, si e vetmja dëshmi e vlefshme që është pronar i saj.
E ka blerë tek Sino Llanaj, ortaku në minorancë i ndërtimit, që është futur në konflikt me Albert Allmuçën për një borxh prej 3 milionë eurosh.
“Kam rënë dakord të kryej vetë 20 për qind të punimeve, po nuk më lënë as të hyj”, thotë ai.
Pranë tij janë një grup banorësh me të njëjtin fat.
“Më lehtë hyn në Capitol Hill se në shtëpinë tënde”, thotë njëri prej tyre.
Janë të moshave të ndryshme, me histori të ndryshme.
“Një burrë që e ka shtëpinë afër meje, nuk mundi të hyjë në shtëpinë e re, u sëmur dhe vdiq”, tregon B. M.
Po kalon një jetë e tërë në pritje, familjet ndryshojnë, humbasin dhe shtojnë pjesëtarë, nëpër shtëpitë me qera, pa mundur të shijojnë investimin e jetës së tyre.
“Nuk e di pse nuk më lënë të hyj, çelësat i kam unë, aty nuk mund të hyjë njeri tjetër”, thotë B.M.
Ai e di historinë e sherrit, e di se si të dyja palët, në vend të merren vesh, apo të lejojnë banorët të hyjnë, në pritje të drejtësisë, korruptojnë ligjzbatuesit që pezullia të vazhdojë pa afat.
Gjithçka ka ndodhur në oborrin e pallatit, që është një rrugë publike në fakt.
Është bllokuar me kamionë, është rrethuar me llamarina, është blinduar me roje, si një shesh beteje.
Edhe ata që kanë hyrë ndihen të pasigurtë.
Pas krismave të sotme me 3 të plagosur, protestonin më shumë ata që ishin brenda.
“Mund të ishim ne viktimat, ç’faj kemi ne”, thotë një prej banorëve përballë një drejtuesi të policisë.
Një tjetër i drejtohet atij, duke i thënë se fëmijët e tij mund të ishin duke u khtyer nga shkolla në atë moment kur plasi pushka.
Dy nga të plagosurit ishin të rastësishëm. Sherret e dy personave, filluan me sharje 2 vjet më parë, kaluan me grushta, me bllokime, deri sot, kur plasën armët.
“Nesër mund të vënë tritolin, kush mban përgjegjësi”, thotë një banor i shqetësuar.
Prej kohësh është denoncuar si një vend potencial për krim. Nuk ka parandalim më të thjeshtë se të ruash zonën e kërcënuar, por policia nuk ka qenë aty, nuk zgjodhi të bënte detyrën, deri sot kur krismat plagosën 3 vetë dhe tronditën një lagje.
Por si është konflikti?
Historia fillon me një borxh të njohur nga gjykata, prej 3 milionë eurosh Sino Llanaj i ka aksionerit Albert Allmuça. Duke qenë se Albert Allmuça që ka dhe maxhorancën në kompaninë ndërtuese kërkon kthimin e borxhit, nuk lejon hyrjen në pallat të banorëve që i kanë blerë hyrjet tek Sino Llanaj Sipas pronarit që ka shumicën, blerja e aparamentit nuk quhet e vlefshme pa kundërfirmën e tij. Kështu, banorët që kanë paguar tek Sino Llanaj, nuk marrin dot as paratë as shtëpinë. Ata nuk kanë mundësi të hyjnë tek shtëpitë që kanë blerë dhe mbi të gjitha nuk u njihet pagesa. Faji i tyre është vetëm se paguan në mirëbesim njërin prej aksionerëve, pa e ditur borxhin dhe sherrin mes tyre, që prej një jave, shihet sesi ka përfunduar.