Identifikohet shqiptari i vrarë në sheshin “Agios Sostis”. Ai është 54-vjeçari Edmond Llangozi. Të plagosur me armë zjarri mbetën dy djemtë e tij, Anxhelo dhe Mihal Llangozi.
Fillimisht autori ka qëlluar në ajër, ndërsa më pas ka pasur në fokus familjen Llangozi. E plagosur mbeti edhe kamarierja e lokalit ku ndodheshin, Xhorxhina Kosa, gjithashtu shqiptare.
Autoritet greke po hetojnë arsyet pse të gjithë anëtarët e familjes ishin në lokal, ndërsa dyshohet se mund të ketë pasur një konflikt verbal para vrasjes.
Autori i krimit, i cili kishte mosmarrëveshje financiare me dy djemtë e plagosur rëndë të viktimës, të moshës 28 dhe 22-vjeçare, shkoi për të kërkuar kthimin e parave, të cilat dyshohen se mund të kenë ardhur nga aktivitete të paligjshme.
Të dy vëllezërit nuk pranuan t’i jepnin paratë, dhe për shkak të kësaj filloi grindja. Në ato momente, babai i dy fëmijëve, duke parë që djemtë e tij po grindeshin, vrapoi për t’i ndihmuar. Menjëherë autori ka nxjerr armën dhe ka qëlluar në drejtim të tyre. Ky i fundit është identifikuar dhe shpallur në kërkim.
Sipas dëshmisë së nënës së vëllezërve Anxhelo dhe Mihal Llangozi , e cila ka qenë në vendin e ngjarjes, dy vëllezërit nuk pranuan t’i jepnin paratë, dhe për shkak të kësaj filloi grindja.
Gruaja në deklaratën e saj ka thënë se përveç autorit të krimit, ai ishte i shoqëruar edhe nga katër persona të tjerë.
Sipas saj ka patur një luftë shumë të ashpër mes tyre dhe më pas në errësirë autori nxori armën dhe filluan të shtënat.
Pas ekzekutimit të bashkëshortit të saj, djemtë filluan të vraponin për ta shpëtuar.
Autori i ndoqi ata edhe jashtë kafenesë ku ndodheshin dhe vijoi të qëllonte, derisa i plagosi.
Fakti që autorët dhe viktimat njiheshin me njëri-tjetrin, u jep qartë një drejtim autoriteteve greke, të cilët ndërkohë po presin rezultatet nga laboratori i mjekësisë ligjore për llojin e armës së përdorur në krim.