Prapaskena

I grabitën shtëpinë për të katërtën herë, ja si kambisti në Korçë mbajti hajdutin deri sa mbërriti policia, përleshje dhe gjak

Publikuar: 11/01/2021

Tre persona hynë të armatosur mëngjesin e sotë në shtëpinë e kambistit Shefqet Muça, në Korçë. Ky i fundit së bashku me gruan dhe me djalin e tij janë përleshur fizikisht me autorët, ndërsa një prej grabitësve e kanë dhunuar dhe e kanë shtrirë në tokë, deri në mbërritjen e policisë, që i vuri prangat.

Si kambisti Muça, ashtu dhe një prej grabitësve u çuan për mjekim në spital, ndërsa lëndime më të lehta ka marrë bashkëshortja dhe djali i kambistit, që po ashtu kanë parë të gjithë skenën.

Dy grabitësit e tjerë kanë mundur tia mbathin nga vendngjarja, së bashku me sasinë e parave të marra nga banesa, shuma e të cilave nuk dihet ende.

Kjo është hera e katërt që banesa e Muços grabitet, ndërsa ngjarjet zakonisht kanë mbetur të pazbardhura nga ana e Policisë.

Rrëfimi i një prej fqinjëve
Një nga fqinjët tregon se si ka ndodhur grabitje, teksa zbulon edhe për përleshjes së kambisti ka pasur me një nga autorët.

“Katër thotë ato, por u pash vetëm një që Shefqeti e kishte vënë poshtë, Shefqeti i gjakosur këtej, gruaja e goditur, djali i tij ka ndrydhur dorën, unë vajta vetëm sa ia hoqa nga dora. I vajti tjetri me pistoletë i tha lëshoje, Shefqeti i tha “nuk e lëshoj më vrit”. U pashë me doreza autorin, për të mos e vrarë fare e hoqa Shefqetin, lëre se vjen policia. E kanë goditur Shefeqtin te koka, iu gjend e gjithë lagjja në ndihmë”, tregon ai.

Një tjetër fqinj tha se doli jashtë sapo dëgjoi ulërimat dhe i dha ndihmë të zotit të shtëpisë pasi ishte i gjakosur.

“Dëgjova ulërima, dola nga shtëpia, erdha i pashë. Ishte gjakosur i zoti i shtëpisë”, rrëfen një tjetër fqinj.

Njoftimi i policisë

Më datë 11.01.2021, rreth orës 06:10, në lagjen nr. 1, në rrugën e “Bilbilave”, Korçë, tre persona dyshohet se nën kërcënimin e armës i kanë vjedhur me dhunë shtetasit Shefqet Muço, me profesion kambist, një sasi lekësh para banesës së tij.

Reagimi i menjëhershëm i Policisë, bëri të mundur ndalimin e njërit prej autorëve të dyshuar të ngjarjes, i cili ndodhet aktualisht për ndihmë mjekësore në Spitalin e Korçës, pasi ka marrë lëndime gjatë përplasjes fizike me kambistin dhe forcat e policisë, ku ka tentuar të shmangë kapjen nga ana e tyre.

Ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë, të cilët kanë mundur të largohen me shpejtësi nga vendngjarja me një automjet.

Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli, po bëhet krehja e zonës si edhe po kryhen veprime të tjera hetimore, të cilat do të ndihmojnë në zbardhjen e sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.



Më të lexuarat