Pedagogu Arlind Qori, njëherazi drejtues i “Lëvizja për Universitetin”, ka komentuar në rrjetet sociale, raportimin e portaleve pranë Partisë Demokratike, për darkën e ministrave të qeverisë Rama dhe biznesmenit Samir Mane në Dubai. Qori thotë se raportimi i portaleve pranë PD, ku vërehet se nuk është shtuar emri i Manes, tregojnë për qeverisjen në rast se demokratët vijnë në pushtet pas 25 prillit. Sipas tij, do të ndërrohen hajdutët, por jo hajdutëria.
POSTIMI I PLOTË I ARLIND QORIT:
Mjafton të shohësh si kanë heshtur mediat e PD për praninë e Samir Manes në darkën luksoze të Dubait për të kuptuar se në zgjedhjet e ardhshme ne mund të ndërrojmë hajdutin, por jo hajdutërinë. Kushdo të fitojë, zotër të Shqipërisë do të mbeten oligarkët, qeveritarët do të vjedhin bashkë me ta, ndërsa mediat do të mbyllin sy e veshë.
#3parti1oligarki”.
Qeveria sqaroi se darka ishte shtruar nga investitorët arab, por rrjeti i ka “kryqëzuar” ministrat e Ramës që në kohën kur vendi është nën ujë, zgjedhin të darkojnë në një nga restorantet më të shtrenjta në botë. Kryeministri i mori në mbrojtje vartësit e tij, duke thënë se nuk është paguar asgjë cent nga taksat e shqiptarëve.