Prapaskena

Basha: Qeveria fajtore për përmbytjet. Rama: Erdhe përgjumur në Shkodër, fole përçart

Publikuar: 10/01/2021

Ashtu si gjithmonë, situata e përmbytjeve, është pasuar me luftë politike. Kreu i opozitës Lulzim Basha gjatë vizitës në Shkodër për shkak të situatës së përmbytjeve, është ndalur në fshatin Obot, ku akuzoi qeverinë.

I shoqëruar nga kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi, Basha vijoi takimet me banorët, ndërsa shtoi se izolimi nga përmbytjet është pasojë e keqmenaxhimit.

Basha tha se banorët janë të izoluar, duke theksuar se PD do të bëjë gjithçka për banorët.

““Është e lehtë për të qenë i hidhëruar me këtë që po ndodh dhe unë të kuptoj shumë mirë. Prandaj jemi afër jush sot. Edhe me kryetaren e bashkisë kam komunikuar që prej fillimit, se dihej që ju goditeni të parët.

Natyrisht përgjegjësinë për t’ju ndihmuar e ka shteti, po dhe ne me çfarë kemi mundësi do t’ju ndihmojmë me gjithçka.

Kryetarja e bashkisë më ka komunikuar gjithë masat që ka marrë. Shpesoj që prania këtu e këtyre efektivëve të vihet në përdorim për ata që do të kenë nevojë.

Nga ana tjetër duhet të bëjmë gjithçka dhe ne t’ju gjendemi pranë me çdo mënyrë, me çdo formë të mundshme. Kjo është situatë jashtëzakonisht e rëndë, nga COVID në përmbytje, jetë njerëzish të humbura, ekonomi e shkatërruar.

Padiskutim mund të ishte menaxhuar më mirë, padiskutim mund të ishin parandaluar disa gjëra, po tani që situata po vazhdon të precipitojë, duhen marrë të gjitha masat për të qenë afër njerëzve.

Kështu që siç i keni pasur dhe i keni në krahë njerëzit tanë. Edhe unë sot ndodhem këtu për të qenë pranë jush e për t’ju thënë me gjithçka që kemi, ne, unë, Partia Demokratike, opozita, do bëjmë gjithçka të jemi pranë jush në çdo formë dhe mënyrë që mundemi.

Por duhet ta theksoj që detyra kryesore sot është e shtetit, të lërë mënjanë çdo gjë tjetër edhe të bëjë gjithçka për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve, në veçanti atyre që janë në nevojë ekstremi, në veçanti Oboti, ana e malit është padiskutim ai që goditet i pari, ai që vuan i pari, ai që ka vuajtur më shpesh dhe që akoma nuk ka marrë dëmshpërblimet e situatave të kaluara”, tha Basha.

Ndërsa kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi tha problem në këtë zonë mbeten kanalet e para kulluese të cilat nuk i ka më kompetence dhe këto sipas saj nuk janë pastruar.

Reagon Rama

Pas vizitës në fshatin Obot si edhe në Gjadër, kryeministri Edi Rama ka ndjekur nga afër situatën në Vaun e Dejës.
Sipas kryeministrit nuk është ndalur puna dhe se situata e kaskadës është mirë menaxhaur.
Gjithashtu teksa ka publikuar videon në rrjetin social “Facebook” Rama ka reaguar me kritika ndaj liderit të opozitës, ndërsa shkruan: “Keqardhje për Lulëzim Bashën që erdhi përgjumësh në Shkodër dhe foli përçart, duke treguar edhe njëherë karakterin e dobët të lidershipit të kësaj opozite fyejsh që bien pa lidhje, në çdo rast fatkeqësie natyror”.



Më të lexuarat