Monika Kryemadhi ka rrëfyer detaje nga jeta e saj familjare dhe debatet politike që mbizotërojnë në shtëpi mes saj dhe Ilir Metës.
E ftuar në “RTSH”, Kryemadhi tha se e vetmja çështje politike që diskuton me bashkëshortin është djegia e mandateve nga opozita, për të cilën Meta e ka krtitikuar dhe ka dalë hapur që nuk e ka pyetur para se të merrte këtë vendim.
“Ka diçka që të jemi të sinqertë. Në marrëdhënien time familjare me Ilir Metën, politikisht ndërhyn vetëm për djegien e mandateve.
Mirëmëngjes, mirëmbrema… Vetëm këtë më përmend. Ai ka qenë kategorikisht kundër djegies së mandateve. Megjithatë koha do ta tregojë se kush kishte të drejtë.
Pas 25 Prillit do të vërtetohet se kush kishte të drejtë. Shqiptarët do t’i vlerësojnë të rinjtë dhe të rejat në listat e LSI dhe do të tregojmë se nuk jemi ajo parti që e kanë damkosur, por instrumenti që sjell stabilitet”, tha Kryemadhi.
Ajo është ndalur të flasë edhe për vizitën e kryeministrit Edi Rama në Turqi.
“Unë prisja që Rama të vendoste 6 apo 8 prillin. Sepse 7 prilli është dita e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.
Nuk do doja që Rama të luante me një pushtim tjetër në Shqipëri. Por nuk më shqetëson spitali i Fierit sesa politika në vend.
Nuk do doja që vizita e zotit Rama të ishte një vizitë që cënon integritetin dhe Kushtetutën e Shqipërisë. Vizita në Turqi ka qenë një vizitë për të përgatitur azilin e tij.
Por çdo marrëveshje e firmosur në mënyrë të fshehtë, LSI do ta ndjeki personalisht dhe penalisht. Nuk kam informacion nëse kjo ka ndodhur, por njoh zellin e Edi Ramës për të ndryshuar harta dhe kufinj.
Koka e Edi Ramës nuk është asgjë para integritetit dhe sovrenitetit të miliona shqiptarëve.
Kushdo që është i përfshirë në marrëveshje anti-shqiptare duhet të ketë shumë kujdes”, tha Kryemadhi.